Shpëtim Duro drejtor teknik dhe Bledi Shkëmbi trajneri i ri. Këto janë lajmet më të fundit rreth Dinamos, që sezonin e ardhshëm do të luajnë në Superiores. Shanset që korçari të marrë drejtimin e bluve në vend të Olsi Ukut janë të mëdha, por te Dinamo kanë menduar të hedhin poshtë gjithçka.
“Sqarim për opinionin publik. FK Dinamo dhe presidenti Adrian Bardhi hedhin poshtë të gjitha lajmet e pavërteta të përhapura ditët e fundit në lidhje me ndryshimet në stafin teknik të skuadrës tonë.
Kërkojmë mirëkuptimin e medias dhe lutemi për më shumë profesionalizëm, duke qenë më korrektë me lajmet e publikuara! Trajneri Olsi Uku dhe stafi i tij gëzojnë mbështetjen e presidentit Bardhi, donatorëve dhe klubit në tërësi.
Të gjithë bashkë jemi të përqendruar tek mbyllja me sukses e dy ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni. Me respekt, administratori Ermal Barushi”, shkruhet në reagimin e bërë nga klubi i Dinamos. /abcnews.al