Dinamo u ndal sot në një barazim pa gola ndaj Teutës në Rrogozhinë. Pas ndeshjes për Supersport foli trajneri i bluve, Blendi Shkëmbi, i cili u shpreh:
“Gjatë 90 minutave nuk kemi vazhdimësinë që duhet të kemi si skuadër. Kundër ekipit kampion qëndron rezultati. Deri diku jemi të kënaqur, por në sulm duhet të jemi shumë më shumë agresiv, i kemi mundësitë. Rastet që na paraqiten duhet t’i shfrytëzojmë. Sot na mungoi besimi.
Lëvizja e Skukës ishte për arsye taktike. Nuk isha i kënaqur me atë çfarë bëri. Por gjëra që ndodhin. Kjo nuk do të thotë që nuk kam besim te Skuka apo te lojtarët e tjerë.
Dinamo u rikthye me zhurmë dhe vazhdojmë të bëjmë zhurmë për fat të mirë, por është java e tretë dhe nuk dilet kampion në javën e tretë. Kemi mundësi të bëjmë gjëra të mëdha dhe shumë më të mira dhe jam i bindur që do të arrijmë t’i bëjmë.
Duhen edhe pak javë që futbollistë të arrijnë 100%. Jam i bindur që ekipi do të arrijë maksimumin javë pas jave, duke pasur besim të gjithë. Për mua më shumë është problem psikologjik. Ekipi do kohën e vet. Po bëjmë mirë, por unë nuk jam i kënaqur gjatë këtyre 90 minuta. Kemi mundësi për të bërë më shumë.
Nuk dua t’iu hyj debateve me arbitrat. Jemi të kënaqur, gjithmonë do e kërkojmë te vetja. Kishim mundësi ta fitonim ndeshjen sot, ashtu sikurse edhe bëmë gabime për ta humbur ndeshjen. Ky është kampionati shqiptar, nuk është kampionati spanjoll, që të gjykojmë si kampionati spanjoll.
Nuk fitoi asnjë duel, në asnjë moment nuk kërkoi thellësinë. Ka momente që futbollisti nuk është gati akoma. Me Mihanën ishim pak më të qartë, por në fazën sulmuese duhet të jemi më shumë agresivë.
Për 20-30 minuta është problem psikologjik. Me besimin që futet futbollisti për të ndryshuar lojën. Nuk po e bëjmë siç duhet. Jam i bindur që këta futbollistë në të ardhmen do të bëjë atë që do klubi dhe do të arrijnë rezultatet që kërkon klubi”, u shpreh Shkëmbi. /abcnews.al