Luhet futboll kudo dhe legjionarët tanë janë shpërndarë në mbarë Europën e disa prej tyre po arrijnë sukses dhe kontribuojnë shumë në klubet e tyre.
Eduart Rroca është një nga ata. Fantazisti nga Librazhdi verën e shkuar la Kukësin dhe u transferua në Turqi te Istanbulspor, aty ku është ambientuar menjëherë dhe po bën më mirë se çdokush në skuadrën e tij.

4 gola dhe 5 asiste në 10 ndeshje në Ligën e Parë turke nuk janë pak dhe meritojnë më shumë vëmendje. Këtë të fundit duket se e ka fituar Rroca, madje atë të trajnerit të kombëtares, Edy Reja.
Sipas Supersport, 27-vjeçari është nën vëzhgim nga stafi teknik i kombëtares dhe nuk do ishte aspak surprizë ta shihnim të veshur me fanellën kuqezi në grumbullimin e marsit, kur nis edhe aventura për në Qatar 2022.

Vetë Rroca e kërkon diçka të tillë dhe në një prononcim të fundit për Supersport u shpreh: “E kam thënë që e pres ftesën nga kombëtarja dhe nëse ndodh pse jo.
Kur një lojtar luan në një kampionat cilësor, pse mos të vijë ftesa. Nuk mendoj se unë jam në ligën e parë turke dhe ftesa nuk vjen. Shpresoj që të kem vazhdimësi që të arrij më pas në kombëtare”, u shpreh ish-fantazisti i Kukësit e Luftëtarit. /abcnews.al


