Shkelet afati 100-ditor për paketën ligjore për sportin

schedule15:50 - 27 Qershor, 2019

schedule 15:50 - 27 Qershor, 2019

Është shkelur afati i premtuar nga qeveria për paketën ligjore për sportin. Disa nga kërkesat e klubeve ende nuk janë pranuar, ndërsa vonesa ka sjellë edhe gjendja e acaruar politike.

Duhej të ishte gjetur një zgjidhje deri në 8 qershor. Atë ditë plotësohej afati 100-ditor i premtuar nga kryeministri Rama për paketën ligjore për sportin, diçka e thënë në Tryezën “Siguri-Reformim-Modernizim”.

Atë ditë, në një takim të gjerë mes përfaqësuesve të qeverisë, parlamentit, Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubeve po të futbollit, u krijua një besim i madh, por për momentin gjithçka ka ngecur.

Burime në Federatë pohojnë për ABC News se nuk është rënë ende dakord me përfaqësuesit e shtetit për disa nga kërkesat kryesore të klubeve.

Konkretisht, për ligjin e ri të sponsorizimeve, ku kërkohet që Shqipëria të bëjë si Kosova, që njeh 30 për qind zbritje të tatimeve, kur investohet në sport.

Së dyti, për faljen e borxheve në tatime deri në 2017, si dhe për heqjen e tatimit mbi pagat, për një periudhë të paktën 5 vjet.

Gatishmëria nga shteti, deri tani ka qenë për të dënuar dhunën në stadiume, me afate burgime.

Në tryezën me kryeministrin u diskutua edhe ndihma e shtetit për ndërtimin e infrastrukturës në bazë të një bashkëpunimi publik-privat, dhe të dhënies në përdorim të objekteve sportive me sistemin “1 euro”.

Po ashtu u diskutua për heqjen e taksave për materialet sportive që importohen.

Besohet se Ministria e Financave ka qenë kundër disa prej kërkesave, por vonesat për marrëveshjen janë ndikuar, me shumë gjasë, edhe nga acarimi i situatës politike në prag të zgjedhjeve vendore. /ABC news Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!