Autoritetet policore italiane të Antimafias e Guardia di Finanza kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit të sotëm operacionin e koduar “Blue bos” i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi italo-shqiptarë që trafikonin drogë mes vendeve të Ballkanit përfshirë dhe Shqipëria, Spanja e Italia.
Në hetim janë vënë 28 persona, ndaj 15 prej tyre është lëshuar urdhri i arrestimit, 6 prej të cilëve janë shtetas shqiptarë.
Mësohet se Një prej shqiptarëve të arrestuar ka inicialet C.L 59 vjeç e thirrej me nofkën “Luli”.
Baza operative e këtij grupi trafikantësh ndodhej në komunën Bisceglie në provincën e Barletës në rajonin e Puglias.
Anëtarët e këtij grupi trafikantësh akuzohen për prodhim e trafik ndërkombëtar droge të tipit marijuanë, hashash e kokainë e pjesëmarrje në organizim kriminal, falsifikim dokumentesh identifikimi, falsifikim parash e dokumentesh.
Hetimet e operacionit kanë zbardhur trafikimin e sekuestrimin e 709,42 kg marijaunë, 1.036,86 kg hashash, 333 gramë kokainë, 1 pistoletë e tipit Glock, 339 mijë euro cash.
Operacioni ka çuar në sekuestrimin e të mirave materiale e raporte financiare me vlerë 3.5 milionë euro mes të cilave 14 automjete, një mjet lundrues, 1 motor.
Hetimet kanë zbardhur se anëtarët e këtij grupi aktivë si në Itali ashtu dhe në jashtë kufirit italian, për organizimin e trafikut të drogës përdornin kontakte e komunikim të drejtpërdrejtë me furnizuesit, klientët apo persona të tretë duke evituar përdorimin e telefonave.
Dhe në ato raste të rralla ku është përdorur telefonik, gjuha për të komunikuar ka qenë e kriptuar, pra me një kod të veçantë, fakt i cili është konfirmuar dhe nga një bashkëpunëtor i drejtësisë, një ish trafikant me një rol kyç në klanin mafioz të familjeve Palermiti-Milella.
Për trafikun e lëndës narkotike përdoreshin automjete të modifikuara e mjete lundruese. Për magazinimin e saj përdornin një garazh të komunën Bisceglie si dhe një shtëpi që e kishin blerë me fondin e përbashkët të parave të fituara nga biznesi i drogës e për të cilën ndanin bashkë shpenzimet e ishte në dispozicion të gjithë anëtarëve të këtij grupi trafikantësh.