Shkatërrohet banda italo-shqiptare/Kokainë nga Spanja e Holanda

schedule13:50 - 15 Shkurt, 2018

schedule 13:50 - 15 Shkurt, 2018

Policia italiane ka arrestuar 11 persona për trafik ndërkombëtar të drogës. Shumica prej tyre janë shqiptarë dhe importonin kokainë dhe hashash të pastër për në Itali nga Holanda dhe Spanja.

Policia e Romës në operacionin “Nadir” ka shkatërruar një grupim kriminal, të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë që operonin në kryeqytetin italian, i cili ishte i specializuar në trafikun ndërkombëtar të drogës, kryesisht kokainë dhe hashash të pastër. Lajmi është bërë i ditur nga mediat e vendit fqinj, që shkruajnë se lënda narkotike importohej nga Spanja dhe Holanda. Kurse shpërndarja bëhej në sheshet kryesore të kryeqytetit Italian.

Që në orët e para të së enjtes, karabinjerët në bashkëpunim me njësi të Interpolit dhe të Shërbimit Ndërkombëtar të Direktivës Qëndrore Kriminale me policinë Shqiptare dhe të Spanjës, kanë zbatuar 11 arrestime, 8 persona përfunduan në burg dhe 3 të tjerë në arrest shtëpiak. Arrestimet janë kryer me urdhër të Gjykatës së Romës. Ata akuzohen për trafik ndërkombëtar të drogës.

Në një bazë logjistike në një zonë në periferi të kryeqytetit Italian, agjentët kanë sekuestruar 4 kilogramë kokainë të pastër deri në 92%. Banda e drogës punësonte kryesisht persona pa të shkuar kriminale për të bërë shpërndarjen e dozave të kokainës dhe hashashit, në mënyrë që mos të tërhiqnin vëmendjen e policisë.

Ndërkohë, në hetimet që kanë zgjatur më shumë se një vit janë përfshirë 31 persona, shumica e të cilëve shqiptare. 12 prej tyre janë arrestuar në flagrance për episode të ndryshme të shpërndarjes së drogës. Gjithashtu mësohet se është sekuestruar 4.6 kilogramë kokainë, mbi 1 kilogram hashash dhe 36 mijë euro./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!