Shkatërrohen 4 grupe kriminale Shqipëri-Greqi, 57 të arrestuar

schedule17:00 - 12 Shtator, 2019

schedule 17:00 - 12 Shtator, 2019

Katër grupe kriminale u shkatërruan nga aksione te përbashkëta policore, të ndërmarra në Greqi dhe Shqipëri. Gjatë operacionit të Policisë së Shtetit, të koduar “LIMIT” u prangosën 57 persona, si dhe janë shpallur në kërkim 8 të tjerë që operonin në fushën e narkotikëve dhe trafikut të klandestinëve.

Katër grupe kriminale që trafikonin drogë nga Shqipëri drejt Greqi u shkatërruan nga policitë e dy vendeve, duke çuar në pranga 57 persona dhe shpallur në kërkim 8 të tjerë. Detajet e operacionit të koduar “LIMIT”, i cili ka nisur në 2016 u bënë të ditur nga kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si edhe Prokurori i Krimeve të Rënda Vladimir Mara.

Sipas Veliut, operacioni policor u shtri në disa qytete të vendit, ku kontrollit për kanibis nuk i shpëtoi as Lazarati dhe zonat përreth tij.

“Në funksion të këtij hetimi, Task Forca Speciale Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe FNSH-në, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës së Parë për Krime të Rënda, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “LIMIT”, operacion i nisur më parë në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me homologët e policisë greke”.

Rreth 300 efektivë u angazhuan në total, ndërsa bashkëpunimet u kërkuan edhe nga homologët e të Holandës nga ku vinte fara e kanabisit.

“Këtyre grupeve kriminale së fundmi i është sekuestruar rreth 120 kg lëndë narkotike e llojit kanabis, 4 kg kanabis në formë çokollate, 1.1 kg kokainë, bimë narkotikë të kultivuara, 3800 fara kanabis,  një laborator për kultivim të bimëve narkotike me ndricim artificial, telefona celularë dhe disa automjete.Aktiviteti kriminal i këtyre grupeve realizohej duke siguruar fara të bimës narkotike kanabis në Holandë, të cilat kalonin tranzit fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Shqipëri, ku dhe kultivoheshin.  Lënda narkotike kanabis e prodhuar trafikohej në Greqi, Turqi dhe në vende të tjera të BE-së, ku këto grupe kriminale kishin ngritur rrjetin e vet të shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kanabis e kokainë”.

Për megaoperacionin reagoi edhe ministri brendshëm Sandër Lleshaj Sipas ministrit, vetëm gjatë një viti të operacionit “Forca e Ligjit” janë arrestuar 170 persona dhe sekuestruar 55 milion euro. /ABC News Albania 24/7

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!