Shkarkohet Gledis Nano, Çuçi: Nuk përmbushi objektivat

schedule10:00 - 31 Gusht, 2022

schedule 10:00 - 31 Gusht, 2022

Gledis Nano është shkarkuar nga detyra e tij si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Vendimi është marrë pas mbledhjes së ministrave, ndërsa u bë publike nga vetë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi i cili shkarkimin e Gledis Nanos e ka lidhur me mos përmbushjen e objektivave të vendosura.

Teksa tha se Nano nuk i ka realizuar detyrat, Çuçi ka shtuar se deri në një vendim të dytë Drejtor i Policisë do të jetë Tonin Vocaj i cili aktualisht mban postin e nëndrejtorit.

“Lidhet me mos përmbushje të objektivat në lidhje me drejtorin e përgjithshëm të policisë, me situatën e krijuar në muajt e fundit, situatë që kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit, Për momentin detyrat do i nënshtrojë drejtori i Policisë. Puna do jetë e gjithanshme, ngjarjet e ndodhur kanë qenë arsyeja se policia kërkon një reagim dhe një menaxhim më efikas”, tha ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Ngjarjet kriminale të ndodhur së fundi, Çuçi bën përgjegjës vetëm drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit duke përjashtuar çdo mundësi për një largim mundshëm të tij. Për Çuçin, shkarkimi i Nanos është i mjaftueshëm që Policia e Shtetit të ketë një reagim më të fortë në luftën kundër krimit.

“Ka shkallë përgjegjësie deri tani, qeveria ka menduar që ndryshimi i menaxhimit nëpërmjet shkarkimit të Nanos është një masë efikase për të pasur një reagim më të fortë në luftën kundër krimit”, tha Çuçi në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Gledis Nano u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më Tetor 2021 duke pasuar Ardi Veliun në këtë detyrë.

Ndërkohë ministri Çuçi bëri me dije se është emëruar nëndrejtor i SHISH Oljan Kanushi, pasi vendi kishte mbetur vakant, pasi sipas tij ishte mbajtur peng nga institucioni i presidentit, kohë kur drejtohej nga Ilir Meta.

/abcnews.al/

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!