Në “Log” me Endri Xhafon po diskutohet mbrëmjen e së hënës rreth rikthimit të liderit historik të demokratëve Sali Berisha dhe betejës së hapur ndaj kryetarit aktual Lulzim Basha. Diplomati Agim Nesho gjatë bisedës në studio u shpreh se duket nga entuziazmi mes elektoratit blu se Berisha me karizmatizmin e tij ka arritur që të krijojë një momentum tek njerëzit.
Kurse, analisti Agim Baçi, duke komentuar shkarkimin e Flamur Nokës nga pozicioni si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, tha se kjo është produkt i gjuhës së ashpër të përdorur në “Foltoret” e Berishës.
“Nxehja e gjuhës që ka vijuar në foltore. Gjuhë e ashpër deri në urrejtje, do të përçajë PD. Berisha të gjente një mënyrë që të mos kishte përçarje.”
Po ashtu, Baçi tha se ai vetë është kundër përjashtimeve pasi këto lloj metodash, shtoi ai, nuk i përkasin një partie demokratike. Baçi nuk i kurseu kritikat ndaj mbështetësve të Berishës, të cilët sipas tij, e kanë pasur mundësinë që të flisnin kur u mblodh edhe Kuvendi i partisë.
“Jam për një parti që t’i thonë brenda strukturave, jo të prekesh ti personalisht e pastaj të reagosh. Kjo është një lloj hipokrizie, flasin pas dy muajsh. Po flasim që Berisha ka heshtur 8 vite rresht duke mbrojtur Lulzim Bashën, sa herë i është kërkuar që të mbajë qëndrim.”
Kurse, analisti Mentor Nazarko u shpreh se përplasjet brenda PD po ndodhin në mes të një krize energjitike dhe se të dyja palët, bashkë me mazhorancën nuk po dalin me një zgjidhje konkrete.
“Kemi Bashën që u rikonfirmua legalisht si kryetar. Dy alternativa përballë Ramës. Berisha ka humbur 5-6 ballafaqime me të majtët. Dhe ai është humbës dhe nuk është larguar nga PD. Por humbësi Basha, ka qenë gjithnjë nën hijen e Berishës. Si të mundet Rama kur ka këto dy alternativa veç e veç. Të dyja këto alternativa nuk kanë legjitimitet moral. Mendoj që Berisha, është ajo mbulesa për të fshehur ambiciet e gjithsecilit prej këtyre.” /abcnews.al/