Sindikata e punonjësve të shëndetësisë, mjekët ashtu siç kishin paralajmëruar një ditë më parë kanë dalë sot në protestë për shkarkimin e kolegut të tyre, mjekut të Urgjencës Kombëtare Mjekësore Ilir Allkja.
Mjekët janë mbledhur rreth orës 10:00 para Urgjencës për të shprehur indinjatën e tyre për vendimin e QSUT për kolegun Allkja.
Sipas sindikatës, mjekët po punojnë në kushte sfilitëse vetëmohuese. Mjeku infeksionist Gent Stroni në fjalën e tij për mediat është shprehur se ky është një vendim i padrejtë dhe se një mjek nuk mund të shkarkohet vetëm për deklaratat e tij në media.
“Në një situatë kur gjithë bota është në krizë për staf mjekësor, Shqipëria, ky vend i vogël me mungesë të personelit shëndetësor ka luksin të pushoj mjek nga puna për arsye politike. Sot kur duhet të bënim bilancin e punës, një pjesë e mirë e pacientëve duhet që të ndjekin ecurinë e pacientëve një pjesë e kolegëve janë ndarë nga jeta dhe tashmë ne duhet që të përballemi me këtë dhe ne kemi luksin që të nxjerrim nga fronti mjekët që e bëjnë punën e tyre. në vend kemi mungesë mjekësh dhe thuhet se ka shkelur kodin etik, një mjek nuk mund të dënohet ose të krijojë një vdekje profesionale pasi në këtë situatë që po kalojmë janë asete të çmuar. Më vjen keq që gjendemi në një situatë rë tillë, jo vetëm për shokun tonë por edhe të rasteve të tjera.
Mjeku dënohet nga kodi penal vetëm nëse me veprimin ose me mosveprimin e tij shkakton vdekjen e një personi. Ne sot bëjmë një vdekje profesionale. Kjo nuk është rruga e drejtë për zgjidhjen e problemeve, është e nevojshme një bashkëbisedim për të ulur tensionet. Ky do e fitojë betejën në gjykatë por paratë që ai do të fitojë pa punuar do të dalin nga xhepat e popullit pse mos të dalin nga xhepat e drejtuesve dhe të jenë ato që duhet ta paguajnë.
Nuk mund të dënohet një mjek që doli në media dhe shau, nuk mund të dënohet një mjek pse ka sharë mbretin, ne duhet të jemi të gjithë sëbashku. Detyra e mjekut si fillim është që ti shërbejë popullit por mendime tona janë pa shkelur të drejtat e të tjerëve kur them përshkallëzim do të thotë se ne do të mblidhemi dhe të diskutojmë”, ka thënë ai./abcnews.al