Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim shtetasin Mikele D’Anxhelo me akuzat “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
45-vjeçari, profesor në një universitet italian, i preu rrugën automjetit ku udhëtonin katër shtetas nga Patosi në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”.
Për të shmangur përplasjen e fortë, drejtuesi i mjetit manovroi, por humbi kontrollin duke “fluturuar” në ajër dhe përfundoi në brendësi të pyllit me pisha. Nga përplasja e fortë u plagosën katër udhëtarët, mes tyre dy të mitur, njëri prej të cilëve ndërroi jetë nga plagët e marra. Ndërkohë, shtetasi italian që shkaktoi aksidentin u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar një ditë më pas.
Sipas organit të akuzës, largimi i D’Anxhelos nga vendi i ngjarjes ka sjellë pasoja “përcaktuese” në ardhjen e pasojave. E thënë ndryshe, nëse 44-vjeçari do të qëndronte dhe ndihmonte të plagosurit, ashtu siç bëri efektivi Klajdi Musta që po kalonte në atë çast me makinën e tij, 15-vjeçari mund të kishte marrë ndihmën mjekësore në kohë.
Hetimi ka zbuluar se koha që iu desh Klajdi Mustës për të nxjerrë të plagosurit nga automjeti që po merrte flakë, mund të reduktohej nëse bashkë me të në operacionin e shpëtimit do të përfshiheshin edhe persona të tjerë. Kjo do të rriste shanset për mbijetesë të të lënduarve.
D’Anxhelo mund të dënohet me të paktën tre vite burg nëse aplikon për gjykim të shkurtuar. Kodi Penal parashikon dënim me 5 deri në 20 vite burg për shkaktarët e aksidenteve me pasojë të rëndë ndaj një ose më shumë shtetasve. Profesori italian u lirua nga masa e arrestit me burg tre javë më parë dhe po gjykohet nën masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ndryshimi i masës së sigurisë për D’Anxhelon erdhi pas kërkesave të përsëritura të avokatit të tij dhe një fushate që përfshiu edhe deputetë të parlamentit italian.
Më 8 gusht, në orën 20:00, në vendin e quajtur “Qafa e Koshovicës”, një aksident rrugor i mori jetën 15-vjeçarit Elidon Shehaj, ndërsa u plagosën Egli Sholla, drejtues i mjetit, Fjoralb Troka dhe Keivi Dervishaj, ky i fundit gjithashtu i mitur.

