Ndryshimi i motit brenda minutave ka shkaktuar dëme të shumta në kryeqytet. Në lagjen “Bregu i Diellit” ka rënë kulmi i një ndërtese duke shkaktuar dëme në disa vetura. Ndërkaq erëra të forta e shi të rrëmbyeshëm ka pasur edhe në qytete të tjera të Kosovës, të cilat për pasojë kanë mbetur pa energji elektrike. Një shi i rrëmbyeshëm që nuk zgjati më shumë se 30 minuta shkaktoi shumë dëme të shtunën pasdite në kryeqytet.
Në lagjen “Bregu i Diellit” ra kulmi i një ndërtese, i cili solli pasoja materiale në katër vetura që gjendeshin të parkuara poshtë saj.
Banorët kanë thënë se kulmi që ra ishte ndërtim pa leje, i cili ishte ndërprerë në gjysmë nga Komuna e Prishtinës për shkak të kundërshtimeve të tyre.
Ramadan Azemit, të cilit iu dëmtua vetura, ka thënë se është fat që gjatë incidentit nuk qëlluan njerëz.
“Mundem me thënë që është rrezik, kulmet janë pa leje, pa siguri… Protesta ka pasur gjithë, për mbindërtimet pa leje ka gjithë ankesa, po nuk merren parasysh”, u shpreh ai.
Dëmet në automjetin e tij ai thotë se janë qindra euro.
Ndërkohë, në një shtëpi në lagjen “Tophane” janë detyruar të intervenojnë zjarrfikësit derisa era e fortë i ka këputur disa drunj në qendër të Prishtinës.
Në një reagim në Facebook, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka apeluar qytetarët që të shmangin daljet dhe të kenë kujdes gjatë lëvizjes me vetura.
“Jemi në terren dhe në gatishmëri të qytetarëve”, ka shkruar ai.
Shi të dendur e erëra të forta ka pasur edhe në disa qytete të Kosovës.
Kompania e distribuimit të energjisë elektrike në Kosovë, KEDS, ka njoftuar se për shkak të motit të lig ka pasur ndalje të rrymës në Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe një pjesë të Pejës e Prishtinës.