Shitja e armëve tek Tajvani, Kina vendos sanksione ndaj SHBA

schedule23:40 - 12 Korrik, 2019

schedule 23:40 - 12 Korrik, 2019

Kina ka vendosur të ndëshkojë kompanitë amerikane të mbrojtjes për shitjen e armatimeve tek Tajvani. Për Pekinin zyrtar, ky akt përbën shkelje të sovranitetit kinez dhe formulës së një Kine të vetme.

Qeveria kineze deklaroi të premten se do të vendosë sanksione ndaj kompanive amerikane të përfshira në marrëveshjen për shitjen e armëve Tajvanit, me argumentin se kanë cënuar sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Kinës.

Deklarata vjen në një kohë kur presidentja e ishullit aziatik, Tsai Ing Uen vizitoi Nju Jorkun në kuadër të një turi, një vizitë që ka acaruar gjithashtu Pekinin. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Geng Shuang deklaroi se shitja e armëve nga pala amerikane përbën një shkelje serioze të ligjit dhe normave ndërkombëtare.

Ai e quajti gjithashtu shitjen shkelje të parimit të një Kine të vetme, pasi në këtë mënyrë Shtetet e Bashkuara njohin Pekinin pa përfshirë Taipein.

“Për të mbrojtur interesat kombëtare, Kina do të vendosë sanksione ndaj kompanive amerikane të përfshira në shitjen e armëve tek Taivani”, deklaroi zëdhënësi.

Departamenti amerikan i Shtetit refuzoi të komentonte lëvizjen e Pekinit dhe po ashtu kompanitë e përfshira në shitjen e armëve nuk iu përgjigjën interesit të mediave.

Kina e konsideron Tajvanin provincë të sajën dhe nuk ka hequr dorë nga opsioni i forcës për ta patur ishullin nën kontrollin e saj. Gjatë një vizite në Budapest, kryediplomati kinez Uang Ji i bëri thirrje Uashingtonit që të mos luajë me zjarrin sa i takon Tajvanit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!