Nga Etleva Delia
Konfliktet për çështje votash e bindje politike nuk kanë qenë të rralla në Shqipëri. Kanë ndodhur ngjarje me pasoja që konsideroheshin të lehta, duke nisur nga disa përleshje fizike, të shtëna me armë në ajër që janë mbyllur me kërcënime. Por fatkeqësisht ka pasur edhe ngjarje më të rënda, plagosje e vrasje. Vrasje militantësh, por edhe komisionerësh që kryenin detyrën nën siglën e partive politike.
Zgjedhjet 14 Maj 2023
Arrestohet kandidati për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri
Mbrëmjen e së enjtes, tri ditë para zgjedhjeve, u arrestua kandidati i së djathtës për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Operacioni është realizuar për akuzën e shitblerjes së votave.
Në një video shfaqen forcat e policisë duke arrestuar kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë në ambientet e lokalit të tij në Himarë. Beleri shihet duke qëndruar me disa persona në momentin kur i afrohen forcat e policisë. Ai pritej të mbante te premten edhe takimin përmbyllës të fushatës. Beleri është përballur me kritika ditët e fundit për një deklaratë të bërë për median greke “Protothema”, ku fliste për një program për helenizimin e Himarës.
Për afro tri dekada emri i tij është lidhur me një prej ngjarjeve më të rënda, që cënoi sovranitetin e vendit, “Masakrën e Peshkëpisë”. Është arrestuar, liruar, hetuar e gjykuar për atë ngjarje, dosja e të cilës përfundon gjithmonë duke u mbyllur me siglën “pa autor”. Ky është Fredi Beleri, i cili pas marrëveshjes Berisha-Dule, është konfirmuar si kandidat i opozitës për Bashkinë e Himarës.
Paradoksi qëndron në faktin se në vitin 1994, kohë kur Sali Berisha ishte president i Republikës, Beleri ishte një nga personat e akuzuar për “Masakrën e Peshkëpisë”. Pavarësisht asaj që kishte ndodhur në Gjirokastër, ai mori guximin dhe kandidoi për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015-ës, në siglën e PBDNJ. Edhe pse e mori me vote përgjigjen e himariotëve, duke mos arritur të fitonte, ai e provoi sërish në vitin 2019.
Por, para 4 vitesh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 në Bashkinë e Himarës. Shkak për këtë vendim ishin shkeljet që iu gjetën në formularin e dekriminalizimit. Në vitin 2006, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste.
Historiku i zgjedhjeve
Fushatat e tensionuara nisën në vitin 1992
Sinjalet për fushata elektorale të tensionuara nisën pas vitin 1992, kur banditët nisën të krijojnë lidhje të forta me politikën. Individë të ndryshëm apo grupe kriminale që deri në atë moment maskoheshin me flamuj partish, ndërruan formë. U bënë pjesë e administratës shtetërore për të garantuar imunitetin e nevojshëm.
Pas tyre kishte gjithmonë disa persona që nisën të quheshin “të fortë”, të cilët në momente delikate dhe acarimesh politike nuk e kishin me përtesë të nxirrnin armët nga brezi. Duke u forcuar ekonomikisht dhe duke pasur edhe mbështetjen politike, këta njerëz kishin filluar të formonin struktura të forta dhe filluan të bëheshin të paprekshëm.
Më pas do të lindnin piramidat dhe skemat e tyre duke krijuar idenë e një shoqërie në zhvillim. Por që në fakt nuk bënë gjë tjetër përveçse fuqizuan edhe më shumë disa struktura të caktuara, kryesisht ato që vepronin në paligjshmëri.
Duke mbledhur gjithnjë e më shumë para, këta “të fortë” do të bëheshin veprimtarë të palodhur të fushatave elektorale, që mbanin mbi supe kandidatë për deputetë të ardhshëm. Por ky shërbim pa diskutim që kishin kostot e veta. Në këtë formë ata i kompromentonin hapur, që kur të uleshin në poltronët e parlamentit, të siguronin mbrojtjen e tyre, t’u hapnin rrugë për përfitime antiligjore, nëpërmjet kontrabandës, tenderave, ankandeve të pasurisë, apo edhe trafiqeve të ndryshme.
Në maj të vitit 1997, fushata për zgjedhjet parlamentare u zhvillua në një atmosfere shumë të tendosur. Për të garantuar sigurimin e lëvizjeve të udhëheqësve dhe organizimin e mitingjeve në krahina të ndryshme, çdo parti politike kishte në dispozicion policë të armatosur, mes të cilëve kishte edhe militantë e madje edhe kriminelë.
Pati kriminelë që gjatë verës së 1997 trokitën në dyert e Ministrisë së Brendshme për të të kërkuar punë në administratë apo Polici, si shpërblim për shërbimet ndaj udhëheqësve të rinj gjatë fushatës elektorale. Këta njerëz e kishin kuptuar se partia duhej të ishte në gjendje të shpërndante vende pune, licenca, apo edhe subvencione të tjera që ishin nën kontroll të pushtetit lokal.
Por këta “të fortë” të fuqizuar, mbroheshin nga njëri krah nga pushtetarët që kishin investuar, por nuk arrinin të shmangeshin nga rivalitetet e pakontrolluara, për më tepër nga konkurrenca kriminale. Kjo solli beteja të përgjakshme, ku njëra palë godiste dhe asgjësonte palën tjetër.
Zgjedhjet e 26 majit 1996
U dhunuan krerët e opozitës në Sheshin “Skënderbej”
Pa dyshim që 26 maji i vitit 1996 simbolizon vjedhjen e zgjedhjeve me dhunë, tentativën për eliminimin fizik të kundërshtarit, përndjekjen dhe dhunimin e përfaqësuesve të kundërshtarit politik. Kjo datë është tashmë simbol i pritave rrëmbimeve dhe mbushjen e kutive të votimit.
Në 28 maj të vitit 1996, krerët e opozitës si Servet Pëllumbi, Gaqo Apostoli, Neritan Ceka, Paskal Milo, Ndre Legisi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Blendi Gonxhe, Kastriot Islami etj., u dhunuan barbarisht nga policia dhe SHIK-u në Sheshin Skënderbeu, ku kishin dalë për të protestuar. Janë dhunuar gjithashtu Arta Dade, Ermelinda Meksi dhe Skënder Gjinushi. Janë dhunuar në mënyrë çnjerëzore Edi Rama, Erion Braçe, Preç Zogaj, Abren Imami, Perekli Teta, ndërsa gazetari Bardhok Lala është lënë për të vdekur tek Liqeni Artificial.
Zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 janë zgjedhjet e vetme në Shqipëri pas rrëzimit të regjimit komunist, të cilat nuk janë njohur nga ndërkombëtarët. Ishin pikërisht këto zgjedhje të tjetërsuara dhe pushteti i asaj kohe, të cilët agravuan krizën e firmave piramidale, duke shtuar zemërimin popullor dhe afrimin e shpërthimit të trazirave, të cilat do të kulmonin 10 muaj më pas, në mars të vitit 1997.
Në atë të dielë, Partia Socialiste tërhoqi komisionerët nga të gjitha qendrat e votimit në vend pa u mbyllur procesi zgjedhor. Pretendimi i Partisë Socialiste ishte se qeveria po manipulonte dukshëm zgjedhjet. Fitorja ishte e demokratëve. Partia Socialiste mori 10 deputetë, Partia Republikane 3 deputetë, Balli Kombëtar 2 deputetë, Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 3 deputetë, ndërsa demokratët 122 deputetë. PS nuk i njohu rezultatet dhe bojkotoi Parlamentin.
Zgjedhjet e 26 Majit 1996 u konsideruan nga ndërkombëtarët me legjitimitet të cunguar. Raporti i vëzhguesve të ODIHR-it, i publikuar më 2 korrik 1996, theksonte: “Kodi Zgjedhor është shkelur në mënyrë flagrante. Zgjedhjet janë kompromentuar, janë shkelur 32 nga 79 nene të Kodit Zgjedhor”.
Këshilli i Europës përmes një rezolute u shpreh: “Zgjedhjet janë njollosur nga dhuna dhe parregullsitë”. Më 21 qershor, Departamenti i Shtetit i dha një tjetër damkë të zezë asaj masakre elektorale: “Një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”.
Në 26 Majin e 1996, rrugët e Shqipërisë u mbushën me trupa të armatosura me kallashnikovë dhe me maska. Socialistët opozitarë intensifikuan betejën për zgjedhje të parakohshme. Vijuan bojkotin parlamentar duke mos njohur zgjedhjet e 26 Majit. Zgjedhjet e përgjithshme të 26 Majit që u zhvilluan në Shqipërinë e vitit 1996, më shumë sesa për keqadministrimin e tyre, mbahen mend për rrahjen e protestuesve në qendër të kryeqytetit.
Gjithçka filloi në mesditën e 28 majit 1996, në orën 12.00, kur liderët opozitarë të PS, PSD dhe PAD-së, pas thirrjeve që kishin bërë një ditë më parë, dolën të protestonin në sheshin “Skënderbej”. Policia kishte rrethuar sheshin me qëllim që të mos i linte protestuesit të manifestonin.
Kryetari i PS, Fatos Nano, vazhdonte të ishte në burg, ndërsa PS nisi përgatitjet për zgjedhjet lokale të 20 tetorit. Zgjedhjet e 20 tetorit u fituan nga mazhoranca demokrate, por me një diferencë më të vogël votash se ato të 26 majit.
Zgjedhjet e 29 qershorit 1997
Vriten para Bashkisë së Ersekës dy komisionerët e Leskovikut
Pas zhvillimit të zgjedhjeve te përgjithshme parlamentare te datës 29 qershor 1997, në zonën e Leskovikut, të nesërmen me datë 30 qershor, rreth orës 07:00, në qendër të këtij qyteti, janë grumbulluar komisionerët që përfaqësonin “Aleancën për shtetin” dhe ata të grupimit “Bashkimi për demokraci”.
Ata do të transportonin materialet e kësaj zone në komisionin zonal të qytetit të Ersekës. Pasi nuk kanë rënë dakord të udhëtonin me të njëjtin mjet, komisionerët e “Bashkimit për demokraci” kane udhëtuar më vete, ndërsa dokumentacioni i votimit dhe komisionerët e grupimit “Aleanca për shtetin” (të dëmtuarit Fredi Shehu, Arben Arapi, Shaban Koxhaj dhe viktima Ilirjan Arapi), të armatosur, kanë udhëtuar në një automjet, shoqëruar ky dhe nga furgoni i policisë.
Rreth orës 09:30, ata kane mbërritur në Erseke, dhe pasi kanë parkuar makinat para shkalleve të Bashkisë, Fredi Shehu, Arben Arapi, Shaban Koxhaj dhe Ilirjan Arapi, të armatosur, kanë shkuar të dorëzojnë kutitë e votimit. Kutitë do i dorëzonin në komisionin zonal, në godinën e këshillit të rrethit që ndodhej aty pranë, te shkallët e së cilës kanë parë shefin e komisariatit dhe Hysni Dervishin e Roland Hasanin (policë).
Në sheshin e Bashkisë ishin parkuar midis të tjerave dhe tre automjete, një autoveturë “Opel” e drejtuar nga i pandehuri Spartak Sageri, ku ndodheshin dhe persona të tjerë të armatosur, makina “Tojota” e drejtuar nga i pandehuri Kastriot Fejzo, si dhe një furgon i bardhë me targa te TR, i vëllezërve Shkëlzen e Sulejman Sulejmani.
Në momentin që komisionerët e Leskovikut kane zënë vendet në furgonin e tyre për t’u nisur, i është bllokuar rruga nga mjeti “Tojota”, i drejtuar nga Kastriot Fejzo, në të cilën ndodheshin dhe dy persona të pa identifikuar. Pasi ka dëgjuar Kastriotin të urdhëronte shoqëruesit “Hidhu një difensive”, Fredi Shehu ka reaguar duke rimbushur armën që kishte mes gjunjëve, tërhequr siguresën dhe drejtuar atë personave të ndodhur ne mjetin “Tojota”. Kjo ka mjaftuar për t’i trembur dhe mjeti Tojota ka lëvizur prej aty.
Në momentin që ishin duke ecur, në afërsi të Bashkisë, atyre i janë afruar tre persona me gishtat e dorës përpjetë, pa armë në dore, por me xhepa të fryrë, dy prej të cilëve ishin vëllezërit Sulejmani, ndërsa i treti i pa identifikuar. Pasi këta të fundit kanë pyetur: “Ti je Fredi Shehu?” ai u është përgjigjur “Unë jam, por mos bëni asnjë lëvizje, asnjë tentativë se armën e kam të mbushur dhe po më ngacmuat apo vepruat do ju qëlloj”. Ata janë larguar. Pas kësaj komisionerët e Leskovikut kanë vazhduar lëvizjen, për t’u larguar kur kanë dëgjuar klithmën e Ilirjan Arapit “… me vranë”.
Të dëmtuarit kane kthyer kokën dhe kane pare viktimën të rrëzohej në afërsi të shkallëve hyrëse të Bashkisë. Në këtë moment është plagosur me armë zjarri edhe Fredi Shehu dhe duke pare intensifikimin e të shtënave me armë, ata janë futur për t’u mbrojtur në Bashki. Janë ngjitur në katin e dytë, ku kanë filluar të kundërveprojnë me armë, pra midis palëve ka pasur shkëmbim zjarri.
Në përpjekje për të lëvizur makinën, si rezultat i kryqëzimit të breshërive të plumbave ka mbetur i vdekur Nako Skupra, ndërsa dy të tjerët kanë dalë prej saj dhe me zvarritje janë larguar në drejtim të hotel “Borovës” duke shpëtuar. Te dera e Bashkisë janë hedhur 5 granata, njëra prej të cilave ka mbetur e paplasur. Nga plasja e granatave ka mbetur i vdekur dhe Ilirjan Arapi. Gjendja është qetësuar me 11:30, me ndërmjetësinë e shefit të rendit, kandidatit për deputet të së majtës e të afërmve të viktimës.
Zgjedhjet e 3 korrikut 2005
Komisioneri i PS-së vret komisionerin republikan
Komisioneri i Partisë Republikane, Learton Vathi, u ekzekutua ditën e zgjedhjeve, më 3 korrik 2005 nga komisioneri i Partisë Socialiste, Bashkim Kulla, në oborrin e qendrës së votimit në prani të punonjësve të policisë, që kishin ardhur aty pas një njoftimi për konfliktin. Komisioneri i opozitës u vra pranë Qendrës së Votimit të zonës nr. 37 në Tiranë, ku kandidonin për deputetë Edi Paloka i Partisë Demokratike dhe Shpëtim Idrizi i Partisë Socialiste. Vrasja u krye pas një debati për përdorimin e çertifikatave false nga socialistët në votime. Në debatin për përdorimin e çertifikatave false ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Njësisë Bashkiake nr.3 në Tiranë, Ilir Kokona, dhe vëllai i tij.
Vathi i ka kërkuar kryetarit të minibashkisë se përse lejohet përdorimi i çertifikatave false në votime, por në debat e sipër është afruar komisioneri i PS, Bashkim Kulla dhe e ka qëlluar me pistoletë komisionerin e Partisë Republikane, duke e lënë të shtrirë përtokë. Pas krimit, vëllai i Nehat Kullës është larguar nga vendi i ngjarjes nga vëllai i kryetarit të Minibashkisë nr.3, i cili e ka marrë në motor vrasësin dhe e ka fshehur. Më pas ai u dënua për këtë krim.
Zgjedhjet e 28 qershori 2009
Vritet në Durrës aktivisti i Partisë Demokratike
Më 12 qershor të vitit 2009 vritet në Durrës aktivisti i Partisë Demokratike, Artan Zeka, ndërsa policia vuri në pranga si autor të dyshuar shtetasin Skënder Balla, për të cilin Partia Demokratike tha se është simpatizant i Partisë Socialiste. Policia e arrestoi menjëherë autorin, ndërsa deklarata e parë për shtyp e Policisë së Durrësit evidentoi konfliktimin mes të arrestuarit dhe viktimës për motive të dobëta.
Në një deklaratë të mëvonshme, Policia e Durrësit specifikoi se arsyet e konfliktit lidheshin me përplasjen mes Zekës dhe Ballës për disa postera elektorale. Fillimisht, në orët e para të mëngjesit, i riu Zeka mbeti i plagosur nga goditja me armë zjarri dhe pak minuta më vonë ai gjeti vdekjen në spital. Mjekët e Spitalit të Durrësit pohuan vdekjen e 25-vjeçarit nga fshati Qerret.
Ngjarja që i mori jetën Zekës ndodhi pak para orës 09:00, në fshatin ku ai banonte, në afërsi të një lokali.
Zgjedhjet e 23 qershorit 2013
Vritet përkrahësi i LSI-së e kandidati i PD-së në Laç
Më 23 qershor të vitit 2013, jashtë qendrës së votimit në shkollën “At Shtjefën Gjeçovi”, vritet me armë zjarri 53-vjeçari Gjon Gjoni, përkrahës i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndërsa plagoset Mëhill Fufi, kandidat i Partisë Demokratike.
Po ashtu është lënduar edhe një tjetër person, i afërm i kandidatit të PD-se, shtetasi Kastriot Fufi. Në vendngjarje janë gjetur 15 gëzhoja nga tri armë të ndryshme. Ditën e ngjarjes Policia shpalli në kërkim 7 persona, mes të cilëve edhe Kastriot Fufin që në fakt ishte në spital dhe Enver Currin, kunati i viktimës Gjon Gjonit.
Konflikti që u mbyll me një të vrarë e dy të plagosur kishte nisur mbrëmjen e një natë më përpara. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Kurbinit, rreth orës 22:40, në aksin rrugor Fushë Mamurras-Mamurras kanë qenë duke udhëtuar me mjetin e tyre shtetasit Erjon Buzani, 31 vjeç dhe Donard Kekenezi, 20 vjeç; që të dy nga Tirana, shoqërues të kandidates për deputete të LSI-së në qarkun Lezhë, Monika Kryemadhi.
Dy djemtë janë ndaluar në rrugë nga persona të paidentifikuar, të cilët u janë drejtuar me fjalët: “Përse bëni fushatë për LSI–në nga Tirana në Mamurras”. Më pas, Kekenezi dhe Buzani janë qëlluar me mjete të forta, duke i kërcënuar që të ikin nga Mamurrasi dhe të mos kthehen më aty. Por plagët e rënda kanë bërë që dy të rinjtë të përfundojnë në Spitalin Rajonal të Lezhës, ndërsa Policia nisi hetimet për gjetjen dhe arrestimin e personave që i dhunuan.
Pikërisht ky episod është kthyer në debat mes aktivistit të LSI-së, Gjon Gjonit dhe kandidatit të PD-së, Mhill Fufi ditën e zgjedhjeve, më 23 qershor. Sipas dëshmitarëve okularë, pak minuta para se të ndodhte vrasja, Gjoni ka akuzuar Fufin për rrahjen e dy shoqëruesve të Monika Kryemadhit.
Zgjedhjet e 25 prillit 2021
Mbështetësi i PD vret simpatizantin e PS, Pjerin Xhuvani
Pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në lagjen “5 Maji” në Elbasan, gjatë një konflikti, mbeti i vrarë mjeku Pjerin Xhuvani dhe u plagosen katër persona të tjerë, mes tyre dhe një efektive policie.
Personat e plagosur ishin Emiljan Prenga 39 vjeç, Pavlo Vuksani 50 vjeç, Eltjon Bodinaku 32 vjeç, dhëndri i Pjerin Xhuvanit, dhe Xhensila Sota 27 vjeçe police. Autori i vrasjes, që tashmë ndodhet në proces gjykimi, është Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEA-s i cili qëlloi mbi Xhuvanin dhe u vetëdorëzua në Polici.
Sipas dosjes së Prokurorisë, gjithçka nisi në orën 13:58 minuta kur në sallën operative të Policisë së Elbasanit mbërriti një telefonatë nga një person i identifikuar si Arjan Hoxha. Ky i fundit ishte prezantuar si përgjegjës i grupit për mbrojtjen e votës në Shtabin Elektoral të PD-së dhe njoftoi për prezencën e një makine, e cila shpërndante para në këmbim të votës në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Pasi u mor njoftimi, në vendin e ngjarjes mbërrijnë të parët dy zv.drejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, të cilët vihen në kontakt me një grup personash që gjendeshin aty, mes tyre edhe Arbër Paplekaj.
Personi në makinë që dyshohej se shpërndante para u identifikua si Mehmet Greca. Gjatë diskutimeve mes tyre dhe debatit të tensionuar, në vendin e ngjarjes mbërrijnë edhe persona të tjerë në mbështetje të Grecës, mes tyre edhe Gentjan Sharra, subjekt i dosjes “Plumbi i Artë”, Kelmend Xhaferri, Pjerin Xhuvani dhe Eldjon Bodinaku.
Për të parandaluar ngjarje të tilla të rënda, por edhe çdo incident tjetër, të gjitha instritucionet ligjzbatuese kanë marrë masa që zgjedhjet e 14 majit të jenë të qeta.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela nëpërmjet një qarkoreje ka ngritur strukturën e përkohshme në prokuroritë e rretheve për zgjedhjet vendore të 14 majit. Çela kërkon nga drejtuesit e prokurorive të rretheve, të marrin masa për organizimin dhe gatishmërinë duke nisur nga data 14 prill, që sipas ligjit fillon fushata zgjedhore e deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni qendror i Zgjedhjeve.
Çela ka kërkuar që prokurorët të vlerësojnë me prioritet, çdo referim ose kallëzim për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik ose të çdo vepre tjetër që dëmton procesin zgjedhor. Kryeprokurori ka kërkuar rritjen e intensitetit të hetimeve proaktive dhe ashpërsimin masave të sigurisë apo dënimeve që do të kërkohen për veprat penale në fushën e zgjedhjeve.
Sipas Çelës kohët e fundit këto vepra penale janë mjaft të përhapura dhe me tendencë në rritje në shkallë vendi. Për zbatimin e masave administrative dhe procedurale për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, Çela ka caktuar 3 vartës të tij që duhet të bashkëpunojnë ngushtë me drejtuesit e prokurorive.
Më herët, edhe diplomatja amerikane Juri Kim zhvilloi një takim me Enkelejd Alibeajn, për zgjedhjet lokale të 14 majit. Më parë kishte zhvilluar takime edhe me Damian Gjiknurin, numrin 2 të PS-së, gjithashtu edhe me Ilir Metën.
Prej tyre kërkoi konfirmim se ata nuk do të përfshijnë në lista emra problematikë por të pastër dhe të përgatitur. Gjithashtu ka qenë e drejtpërdrejtë në kërkesat për një proces të rregullt zgjedhor, që do të përbush të gjitha rekomandimet e ODIHR, duke ua përmendur ato pikë për pikë.
Yri kim tha se: “Shteti duhet të garantojë të drejtën për të zgjedhur lirisht dhe në fshehtësi. Çdo formë presioni për të zbuluar nëse dhe si kanë votuar njerëzit duhet të parandalohet”./abcnews.al