Projekti për ndëtimin e tre moleve turistike në Shkodër, i cili ka hyrë tashmë në fazën e zbatimit konkret është një mundësi e re për zhvillimin turistik të zonës, me krijimin e infrastrukturës së nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës – Shirokës – Zogajt dhe Vir Pazarit.
Kryeministri Edi Rama, i cili sot ishte në Shkodër, vizitoi njërin prej moleve të planifikuara për lundrimin me varka. “Ky është një nga tre molet. Një është në Zogaj, këtu është i Shirokës, kemi dhe atë të Shkodrës. Është e gjitha e lundrueshme sipas nivelit të ujit. Pjesë e projektit janë tre varka. Po kështu është edhe në Zogaj edhe në Shkodër. Kështu që kemi tre stacione lundrimi. Tani do fillojnë dhe varkat. Duhen iniciuar nga Bashkia.” – shpjegoi kandidati për kryetar bashkie i Shkodrës Benet Beci.
Ndërkohë, Kryeministri Rama e vlerësoi projektin si një vlerë e shtuar në zinxhirin ekonomik të zonës që mund të tërheqë shumë turistë të apasionuar pas lundrimit. “Nëse na japin këtë mundësi duhet një mundësi e vogël e bashkisë me disa varka që të fillojë të nxisë të gjithë e të jetë kryevepër, të ketë lundrim.” – u shpreh kryeministri Rama, teksa vërejti një problematikë shqetësuese të bashkisë së Shkodrës që janë mbeturinat e lena vend e pa vend, e në rastin konkret, shumë pranë kësaj zone, të frekuentuar nga turistët e ku po zhvillohet një projekt i rëndëishëm për qytetarët
“Shiko sa plehra ka vetëm në 100 metra. Është habi e madhe. I kanë pastruar dhe i kanë lënë aty prap se s’dinë ku t’i çojnë.” – vërejti ai.