Shijon nga afër fitoren e Hammarby, veprimi i Ibrahimovic tërbon suedezët

schedule16:58 - 15 Qershor, 2020

schedule 16:58 - 15 Qershor, 2020

Zlatan Ibrahimovic nuk e humbi mundësinë të shihte në stadium ndeshjen e parë të kampionatit të Hammarby. Bomberi zotëron 50% të aksioneve të klubit suedez, që fitoi 2-0 ndeshjen e parë kundër Ostersunds.

Ibra zbriti në dhomat e zhveshjes në fund të ndeshjes dhe festoi fitoren bashkë me lojtarët e stafin teknik. Një veprim që ka shkaktuar polemika në Suedi. Protokolli sanitar në vendin nordik është i prerë: askush nuk mund të futet në dhomat e zhveshjes përveç futbollistëve dhe trajnerit.

Sulmuesi i Milanit nuk ka pyetur fare për diçka të tillë, teksa sekretari i përgjithshëm i Federatës ka komentuar shkurt ngjarjen. “Kam nevojë të di më shumë përpara se të flas, ne do të bisedojmë me Hammarby për këtë çështje“, deklaron Mats Enquist për SportBladet.

38-vjeçari do të kthehet ditën e nesërme në Milano dhe do t’i nënshtrohet testeve të radhës në lidhje me dëmtimin e pësuar në pulpë. “Procesi i rikuperimit vazhdon pa probleme“, komunikon Milani, teksa trajneri Pioli shpreson ta ketë të gatshëm për duelin e 28 qershorit kundër Romës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!