Robert Lewandowski ishte mbreti i vitit 2020 dhe shifrat janë të gjitha në favor të tij. Shënoi më shumë se kushdo dhe asistoi mjaftueshëm për të mos patur rivalë dhe për të lënë pas tij emra si Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, që ndodhen në podium.
Argjentinasi, edhe pse nuk ka pasur një sezon të mirë, ia ka dalë të jetë para sulmuesit të Juventusit për numrin e golave dhe asisteve gjatë vitit të shkuar. Në pesë më të mirët janë edhe Bruno Fernandes dhe Ciro Immobile.

CIRO IMMOBILE (Lazio) – Sulmuesi italian është përfshirë në 47 gola të skuadrës së tij. Ai ka shënuar 34 herë dhe ka asistuar në 13 gola të tjerë.

BRUNO FERNANDES (Manchester United) – Mesfushori, vrastar me gjuajtjet e penalltive dhe asistet, ka shënuar 28 gola dhe ka shërbyer 20 herë, duke qenë protagonist në 48 gola të United.

CRISTIANO RONALDO (Juventus) – Portugezi i kampionëve të Italisë është përfshirë në 49 gola të bardhezinjve. Spikat me finalizimin, duke realizuar 41 herë, ndërkohë që ka asistuar vetëm 8 herë.

LIONEL MESSI (Barcelona) – Ylli i katalanasve ka qenë protagonist në 50 gola të skuadrës spanjollë dhe 26 prej tyre i ka shënuar vetë. Argjentinasi numëron 24 asiste.

ROBERTO LEWANDOWSKI (Bayern Munich) – Polaku i kampionëve të Europës është përfshirë në 60 gola të bavarezëve dhe ka shënuar 75% të tyre, 45. 15 herë sulmuesi ka shërbyer për shokët e skuadrës. /abcnews.al

