Sipas shifrave të publikuara nga KQZ, në gjithë vendin më 30 Qershor kanë votuar 771.863 qytetarë ose 21.6%. Në listat e zgjedhësve kishte 3.4 milionë votues dhe 97 kandidatë garuan për 61 bashki.
5.417 ishte numri i qendrave të votimit në mbarë vendin, ndërsa për mbarëvajtjen e procesit u angazhuan rreth 7700 efektivë policie. Në total u regjistruan në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve 36 parti të ndara në dy koalicione: Aleanca për Shqipërinë Evropiane, e drejtuar nga Partia Socialiste, me 19 parti aleate si edhe Koalicioni Shpresa për Ndryshim të përbërë nga 6 parti të udhëhequra nga Aleanca Kuq e Zi.
Gjithashtu 9 parti të tjera garuan jashtë koalicioneve, pra me kandidat të pavarur. Bindja Demokratike e Astrit Patozit ishte forca më e madhe opozitare që konkurroi me kandidate në 22 bashki të vendit, kundër atyre të Partisë Socialiste.
Partitë e koalicionit opozitar për herë të parë në 30 vitet pluralizmit nuk morën pjesë në këto zgjedhje, pas një klime tensioni dhe protestash që kërkonin rrëzimin e qeverisë. Edhe në këto zgjedhje nuk munguan kandidatët e Partisë Komuniste Shqiptare të cilët humbën përballë kundërshtarëve të tyre./ABC News Albania 24/7