Në Fier, këtë vit shkollor do të mbyllen 16 shkolla nëntë-vjeçare për shkak të tkurrjes se numrit të nxënësve. Drejtoresha e DAR në Fier tregon për situatën arsimore në këtë qark.
Në një kohë që po flitet për librat falas dhe kategoritë që do të përfitojnë, në qarkun Fier del një problem i mprehtë me arsimin.
16 shkolla 9-vjeçare do të mbyllen si pasojë e tkurrjes së numrit të nxënësve. Drejtuesja e DAR në Fier Yllka Beci, ndërsa është shrehur për përfitimin e librave falas në rrethin e Fierit ka shtuar se çdo vit ka një reduktim të numrit të nxënësve nëpër shkolla që po ndodh për shkak të migrimit dhe emigrimit të familjeve.
Sipas saj, parashikohet që këtë vit në Bashkinë e Fierit dhe të Roskovecit të mos i hapin dyert 16 shkolla 9- vjecare. Kjo është një shifër alarmante për një rajon si Fieri.
“Arsyeja është emigrimi i fëmijëve, ku kemi bashkim familjar. Babai është emigrant dhe nëna ka qenë këtu bashkë me fëmijët, pra bashkimet familjare bëjnë që të reduktohet edhe numri i nxënësve”, shprehet Beci.
Por lajmit të keq të mbylljes së disa intitucioneve arsimore duket i qëndron pranë një lajm tjetër i mirë që mbështet familjet në nevojë.
Përvec grupmoshave të vogla që do të përfitojën librat falas nga projekti i qeverisë, në Fier janë 13 kategori të familjeve në nevojë, kryesisht familje me shumë fëmijë apo të verbër, të sëmurë, para dhe tetraplegjikë si dhe me probleme të tjera sociale dhe ekonomike.
“Tetë kategori fitonin deri në vitin 2018, kurse sivjet janë shtuar dhe pesë kategori”.
Nga nisma e përfitimit të librave shkollorë falas në Fier parashikohet të përfitojnë rreth 7187 nxënës. Kujtojmë se Fieri është një ndër rajonet që ka prodhuar më shumë maturantë ekselentë sesa çdo qark tjetër.
Një ndihmë e madhe për t’u ardhur në ndihmë nxënësve po jepet edhe nga Bashkia e Fierit, e cila prej dy muajsh po restauron pothuajse të gjitha godinat arsimore./abcnews.al