Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Gjykata Speciale e formuar për të gjykuar krimet e luftës, dëmton imazhin e vendit. Ai nënvizoi se proceset gjyqësore duhet të zhvillohen në Kosovë dhe jo jashtë vendit.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mbledhjen e kryesisë së partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka komentuar zhvillimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Shefi i qeverisë nënvizoi se kjo gjykatë do të ishte ngarkesë për Kosovën dhe do ta dëmtonte imazhin e vendit.
“Kosova ka qenë dhe mbetet vend shembullor për respektimin e ligjit nacional dhe ndërkombëtar, e kemi dëshmuar në kohë të OKB-së, në Hagë, e tash edhe të EULEX-it. Edhe një gjykatë është ngarkesë për Kosovën dhe një planin e jashtëm e dëmton imzhin e vendit”.
I pyetur nëse rrezikohen raportet me ndërkombëtarët, duke parë deklaratat e ambsadorëve të huaj, Haradinaj tha se qeveria i zbaton vetë vendimet e Parlamentit.
“Ato procese gjyqësore duhet të zhvillohen në Kosovë e jo në Speciale. Prandaj as nuk e kemi votuar këtë gjykatë. Tani dallim i vetëm është se jam kryetar qeverie dhe pikëpamjet politike nuk ndryshojnë. Obligimet e qeverisë i marrim nga Parlamenti. Nëse ai vendos ndryshe ne i zbatojmë, repsektojmë vendimin e të zgjedhurve të popullit. Vendimet e parlamentit janë urdhër për ne”.
Këto komente të tij erdhë edhe pas një takimi që Haradinaj zhvilloi me ambasadorët e akredituar në Prishtinë. Ai u tregoi diplomatëve se qeveria e Kosovës do të veprojë bazuar në vullnetin e deputetëve lidhur me shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ndërkohë, për të shtunën ishte thirrur dhe një mbledhje e qeverisë së Kosovës, por më pas u anullua. Në të do të diskutohej për idenë e ndryshimit të Ligjit për Gjykatën Speciale./abcnews.al