Shfrytëzonte vajzat në lokal për prostitucion, arrestohet pronari

schedule10:50 - 8 Korrik, 2019

schedule 10:50 - 8 Korrik, 2019

Policia e Elbasanit ka vënë në pranga pronarin e një lokali në Belsh, i cili dyshohet se u shpërndante klientëve kokainë në ambjentet e lokalit, si edhe shfrytëzoheshin vajza të moshave të ndryshme për prostitucion. Operacioni i koduar “Liqeni” sekuestroi në cilësinë e provave materiale, 14.7 gramë pluhur të llojit kokainë, një peshore elektronike, automjetin e pronarit, si dhe 6 aparate telefonike celulare.

Ndërkaq u proceduan penalisht në  gjendje të lirë 5 shtetase për veprën penale të prostitucionit.

Njoftimi i Policisë

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të lokaleve për prostitucion, bazuar mbi informacionet e marra nga komuniteti se në ambientet e një lokali u shpërndahej lëndë narkotike e dyshuar kokainë klientëve të ndryshëm, si dhe shfrytëzoheshin vajza të moshave të ndryshme për prostitucion, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor “Liqeni”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

  • E.Ç., 43 vjeç, banues në Fier, (pronari i lokalit në të cilin zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme).

Si dhe u proceduan penalisht në  gjendje të lirë 5 shtetase për veprën penale “Prostitucioni”.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 14.7 gramë pluhur i dyshuar lëndë narkotike e llojit kokainë, një peshore elektronike, automjeti në pronësi të shtetasit E.Ç., si dhe 6 aparate telefonike celulare.

Gjithashtu ky shtetas nuk ishte i pajisur me kasë fiskale gjatë ushtrimit të aktivitetit në lokali, duke bërë të mundur fshehjen e të ardhurave.

Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,  “Shfrytëzimi i prostitucionit” , “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, dhe “Fshehja e të ardhurave”, në ngarkim të shtetasit E.Ç.

Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, ose në aplikacionin “Komisariati Dixhital” kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!