Shfrytëzimi i burimeve natyrore shënoi rritje vjetore me 3.2% më 2021

schedule22:20 - 24 Prill, 2023

schedule 22:20 - 24 Prill, 2023

Teksa Europa është duke përqafuar një model ekonomik që po nxit ekonominë qarkulluese duke e bazuar modelin e prodhimit në riciklim dhe me pak nga burimet natyrore, në vendin tonë prodhimi gjithnjë e më shumë rrit varësinë tek burimet natyrore.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2021, lënda e parë e nxjerrë nga burimet e brendshme natyrore, e cila përfaqëson sasinë gjithsej të materialeve që përdoren direkt në ekonomi, është rreth 19,1 milionë tonë, duke shënuar një rritje prej 3,2%, krahasuar me vitin 2020.

Struktura e burimeve të brendshme natyrore, tregon që produktet “minerale jo metalike” zënë rreth 44%, “biomasa” 39%, “mineralet metalike” 10% dhe “materialet e energjisë fosile” 7%.

Sasia gjithsej e importit të materialeve mjedisore në vitin 2021, ishte rreth 5,4 milionë tonë, e cila krahasuar me vitin 2020, është 11,45% më e lartë.

Pjesën më të madhe e zënë produktet e “biomasës” me rreth 1,5 milionë tonë të shoqëruar nga produktet “mineralet jo metalike” me rreth 1,2 milionë tonë. Më pas renditen produktet “materialet fosile të energjisë” gjithashtu me rreth 1,2 milionë tonë, “mineralet dhe koncentratet metalike me 1,2 milionë tonë dhe në fund “produkte të tjera dhe mbetjet e importuara” me 0,4 milionë tonë.

Eksportet në vitin 2021, arritën një vlerë prej rreth 4,3 milionë tonë, duke pësuar një rritje prej 5,5%, krahasuar me vitin 2020. Ndikim më të madh në rritjen e eksporteve të materialeve mjedisore e kanë dhënë “mineralet dhe koncentratet metalike”, eksportet e të cilave shënuan një rritje prej 15,2%.

Gjatë vitit 2021, ka pësuar rritje edhe eksportet e kategorive “biomasa” me 8.1% dhe “produktet të tjera dhe mbetjet e eksportuara” me 6%. Nga ana tjetër eksportet e kategorive “mineralet fosile të energjisë” dhe “mineralet jo metalike” kanë pasur rënie përkatësisht me 1% dhe 0,3%.

Bilanci fizik tregtar, i cili tregon diferencën midis importeve dhe eksporteve për të gjithë kategoritë e materialeve mjedisore arriti vlerën e rreth 1.104 mijë ton për vitin 2021, duke pësuar rritje me rreth 333,4 mijë tonë, krahasuar me vitin 2020.

Gjatë vitit 2021, varësia nga importi i materialeve u vlerësua në 22,2%, duke shënuar një rritje prej 1,3%, në krahasim me një vit më parë. Gjatë periudhës 2017 – 2021, varësia nga importi i materialeve është luhatur në kufijtë prej 16,6% në vitin 2017, deri në 22,2% në vitin 2021.

Në vitin 2021, materialet fosile të energjisë kishin varësinë më të lartë nga importi, me rreth 48,9%, të ndjekura nga mineralet dhe koncentratet metalike me 37,9%. Nga ana tjetër varësinë më të ulët nga importet e kanë mineralet jo metalike me 12,5%, të ndjekura nga inputet e biomasës me 16,8%.

Përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore mat gjithsej sasinë vjetore të lëndëve të para që nxirren nga mjedisi, duke marrë në konsiderate dhe bilancin fizik tregtar.

Në 2021, përdorimi i brendshëm i materialeve mjedisore arriti vlerën e rreth 20,2 milionë tonë 5% më shumë, krahasuar me vitin 2020. Sipas strukturës së tij shohim që pjesën më të madhe të përdorimit të brendshëm të materialeve mjedisore e zënë produktet e “biomasës” me 42% “mineralet jo metalike” me 40,8%, “materialet fosile të energjisë” me 8,5% dhe “mineralet dhe koncentratet metalike” me 8,3% si dhe “produkte të tjera” me 0,5%./Monitor