Variçela e njohur dhe si lia e dhenve ka shpërthyer në disa çerdhe dhe kopshte në vend. Vetëm në fillim të prillit Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar 31 raste. Kryeson Tirana, ndjekur nga Kruja, Fieri, Kurbini dhe Puka. Sëmundja nis me shenjat e një viroze dhe më pas karakterizohet nga puçrrat në lëkurë.
Në kryeqytet sipas mjekëve në qendra shëndetësore nuk kanë munguar as fëmijët që kanë shfaqur komplikacione.
“Raste që mund të ketë pas ndonjë komplikacion me bronkopneumoni ose infeksion lokal të puçrave i kemi menaxhuar këtu”, u shpreh pediatrja Entela Kostaqi.
Bluzat e bardha apelojnë për të kontaktuar specialistin me shfaqjen e shenjave të para dhe në rastet e temperaturës së lartë të përdoret paracetamoli dhe te shmanget aspirina dhe ibuprofeni.
Variçela sipas mjekëve është një sëmundje shumë ngjitëse dhe përhapet nga kontakti me personin e infektuar. Për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit bluzat e bardha apelojnë për të mos i dërguar fëmijët në çerdhe dhe kopshte.
“Mjafton që një fëmijë të jetë infektuar në çerdhe dhe me shumë mundësi një pjesë e mirë e fëmijëve kanë për ta marrë. Ka periudhë inkubacioni shumë të gjatë. Është ngjitëse që në fazat e para. Rekomandohet të mos dërgohet një fëmijë në çerdhe. Është shumë infektive ditët e para. Rekomandohet të qëndrojë në shtëpi për një periudhë dhjetë ditore”, theksoi ajo.
Shpërthimet e variçelës sipas mjekëve më së shumti ndodhin në pranverë dhe në vjeshtë, por pas pandemisë sëmundja nuk po njeh sezonalitet.