Kryeministri Rama u ndal sot në Gjirokastër ku vizitoi Pallatin e Sportit si dhe sheshin e ri “Çerçiz Topulli”, të cilat janë transformuar rrënjësisht duke i dhënë një identitet totalisht të ri.
I shoqëruar nga kryebashkiaku Flamur Golemi dhe nga ministrja e Kulturës dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ata u ndalën fillimisht në ambientet e Pallati të Sportit.
“Më e rëndësishmja nga të gjitha është dhe që bashkë me kopshtin, ne kemi filluar aktivizimin e klasave sportive. Përveç volejboll, futboll sot që po flasim, po bëhet kampionati kombëtar i moshave të ping-pongut. Janë të rinj e të reja nga gjithë vendi që po bëjnë një nga aktivitetet e radhës. Ndërkohë janë edhe hapësirat ndihmëse dhe mbështetëse të Pallatit të Sportit. Klasa e parë dhe ambienti i parë janë në shërbim të mundjes e në vazhdim kemi grupe të tjera”, – tha kryebashkiaku Golemi.
I kthyer tashmë në një hapësirë moderne, Pallati i Sportit është bërë një vatër për të gjithë sportdashësit.
Sheshi i Rilindur i Çerçizit ka marrë tashmë formën përfundimtare dhe është totalisht në dispozicion jo vetëm të qytetarëve, por dhe turistëve të shumtë që vizitojnë Gjirokastrën në çdo stinë.
I transformuar nga një hapësirë e uzurpuar nga makinat e autobusët, sheshi tashmë është kthyer në një tjetër atraksion për qytetin.
“Projekti vazhdon, ka një pjesë tjetër po kur të vini herën tjetër do t’ua tregojmë që vazhdon dhe lidh këtë pjesë këtu me kalldrëmet ‘’shtrat kronjtë ‘’ që quhet dhe ka rijetëzuar gjithë zonën. Kanë filluar blerjet e të gjitha shtëpive që ishin të rrënuara praktikisht edhe po kopjojnë në kuptimin e mirë të fjalës, njëri-tjetrin sepse praktikisht, kjo këtu është hotel, aty është qendra kulturore e fëmijëve që ka gjithmonë aktivitete e kurse të ndryshme. Ky sheshi këtu dhe ky kthehet gjithmonë në një shesh aktivitetesh sidomos kur fëmijët e shkollave kanë aktivitete dhe pastaj vijon gjithë komunikimi në lagjet e poshtme.”, – u shpreh ministrja Kumbaro.
Ndërkohë poshtë sheshit gjendet edhe parkimi nëntokësor, i cili ka zgjidhur njëherë e mirë problemin e parkimit të autobusëve dhe autoveturave.