Winful Cobbinah dhe Mario Morina janë kapur mes tyre në seancën e djeshme të Tiranës, ndërkohë që zënkën e tyre e ka komentuar edhe trajneri Egbo në konferencën për shtyp para finales së Kupës së Shqipërisë.
“Ishte një keqkuptim. Gjëra që ndodhin në çdo familje. Që kur kam marrë drejtimin e skuadrës, jemi munduar që t’i ruajmë gjërat të mos dalin jashtë e t’i zgjidhim si familje, si vëllezër.
Më keq se dje ka ndodhur edhe më përpara, por nuk i kanë marrë vesh pasi i kemi zgjidhur brenda familjes. E thashë që në çdo familje ka zënka, mes prindërve dhe fëmijëve.
Më tregoni një familje pa probleme brenda saj, apo një familje që rri 1 apo 2 vite pa sherre. Njerëzit zihen dhe sqarohen. Nuk ka pasur grushte, por shtyrje. E rëndësishme është që dy lojtarët u sqaruan me njëri-tjetrin pa ndërhyrjen e stafit apo ndonjë lojtari tjetër.
Të arrihet kjo, ka shumë domethënie. Kjo tregon që ekipi ka harmoni, tolerancë dhe mirëkuptim midis njëri-tjetrit. Këtë duhet të shohim, jo atë që ka ndodhur. Kjo më jep shumë shpresë në këtë ekip”, është shprehur Egbo. / abcnews.al