Sherri në familjen mbretërore/ Avokati: Veprimi i Princ Lekës ishte spontan, mori përsipër riskun dhe koston e lartë

schedule20:18 - 7 Mars, 2024

schedule 20:18 - 7 Mars, 2024

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për dhunë në familje pas kallëzimit të Princ Lekës. Sherri u bë publik të mërkurën, ndërsa në rrjete sociale qarkulluan videot ku shfaqej dhuna. Princ Leka bëri një denoncim në polici, ku pretendonte se ishte dhunuar nga ish-vjehrri, konflikt që u përfshi dhe Elia Zaharia.

Për këtë ngjarje po diskutohet në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla. Avokati i Leka Zogut, Aranit Roshi deklaroi se veprimi i princit për të filmuar dhe denoncuar dhunën është spontan dhe se është tregues i një “formimi qytetar” për të denoncuar një rast të tillë, pavarësisht pozitës së tij.

“Ngjarja ka pasur rëndësinë e vet jo vetëm për faktin se është bërë mediatike por se në qendër të ngjarjes, të rrethanave është një qytetar, që s’dua ta shikoj nga titulli apo pozicioni. Një qytetar shqiptar që dhunohet dhe që merr guximin dhe kurajon të denoncojë dhunën ndaj tij. Ky akt ka krijuar një përballje të madhe që mendoj se ka vlera për t’u diskutuar, nëse ka bërë mirë që e ka denoncuar rastin në prokurori. A duhet që sjelljet tona të udhëhiqen nga mentaliteti i turpit, është turp të shfaqesh përpara publikut si një person i dhunuar, apo akt kurajoje që ngrihesh mbi paragjykimet që bien mbi ty dhe denoncon dhunën. Mendoj se kjo rrethanë e ka bërë çështjen të rëndësishme për t’u trajtuar. Pastaj emrat se kush janë personazhet kanë rëndësi deri diku sepse përfaqësojnë diçka në jetën publike.

Ajo që dua të them është fakti që një person publik jep shembullin e vet dhe del përballë opinionit dhe denoncon duke marrë përsipër risk dhe kosto të lartë. Dihej se rasti do të mediatizohej. Efekti i videos e bën gjënë më të ndjeshme. Ka efekt edukativ sepse vlerësoj se e para vendos dhe rrëzon mendimin se në të gjithë rastet janë meshkujt abuzues dhe e dyta, faktin se kushdo që është i abuzuar në një moment të caktuar, duhet ta deklarojë. Shikoj që në të gjithë këtë gjë triumfoi respekti për veten dhe përpjekja për të ruajtur dinjitetin, respektimi i ligjit dhe drejtimi në organet ligjzbatuese për të bëtë atë që është me vend në të tilla raste. Them që veprimi i tij ka qenë spontan por është tregues i një formimi të shëndoshë dhe qytetar. Dinjiteti i tij për veten, ka vendosur ta denoncojë rastin.”, deklaroi avokati./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!