Sherri i mësueseve te “Çajupi”, Boçi i kërkon llogari Kushit: Impaktohet sistemi. Pse s’reagove?

schedule10:58 - 13 Tetor, 2021

schedule 10:58 - 13 Tetor, 2021

Sherri i ndodhur para 2 ditësh mes 2 mësueseve të shkollës “Andon Zako Çajupi” ku u përfshinë dhe të afërmit e tyre është ngritur si shqetësim sot nga deputeti i PD Luçiano Boçi në seancën dëgjimore me ministren Evis Kushi për masat e marra për nisjen e vitit shkollor.

“Pse nuk reaguat?”, i tha Boçi ministres duke e parë në sy.

Një ngjarje e rëndë e ndodhur këto ditë ishte përplasja mes 2 mësueseve në shkollën Çajupi ku u përfshinë dhe familjarët me armë e plagosje. Ju nuk reaguat. Ngjarja ka impaktuar në të gjithë sistemin arsimor në lidhje me pozicionin e figurës së mësuesit. Mësuesi nuk do shihet më me syrin e dikurshëm apo me atë pak respekt që i kishte mbetur. Pse nuk pati reagim nga ju? Unë mendoj se duhet të kishit çuar ekipin e psikologëve sidomos për mësuesit në konflikt por edhe për nxënësit. Meqë keni dyfishuar trajtimin psikosocial, dua një program për nxënësit për traumat gjatë pandemisë”, tha Boçi.

Ndërkohë që ministrja tha se Zyra Arsimore veproi në kohë pas verifikimeve institucionale.

Nuk është e vërtetë që nuk kemi reaguar, të dyja mësueset janë pezulluar nga puna, kemi ngritur grup pune për të trajtuar sitautën. Zyra Arsimore ka bërë një reagim dhe ka marrë masë ndaj dy mësuesve. U përdor një kohë e caktuar për ta verifikuar ngjarjen me policinë. Sepse jo gjithmonë lajmet në media janë 100% të vërteta. Jo me një të rënë të lapsit mund të hiqet mësuesja. Ne e verifikuam me policinë dhe gjykuam që mësueset të pezullohen dhe më pas të shkarkohen. Respektojmë institucionet. Ka hierarki, struktura që janë të parashikuara për të ndërmarrë veprime. Dhe trajtimin psikologjik po e bëjmë, kemi ngritur një grup pune. uroj të mos ndodhin ngjarje të tilla, është shumë e rëndë. E kuptoj dhe për prindërit është shqetësim i lartë, ndonëse nuk ka ndodhur brenda ambienteve të shkollës është shumë e rëndë”, tha ministrja e Arsimit.

Lexo edhe: Sherri i mësueseve te “Çajupi” për tavolinën, të afërmit kapën karriget. 1 i arrestuar, 5 hetohen

Mëngjesin e së hënës, mësuesja e historisë Domenika Toptani 53 vjeçe dhe ajo e Letërsisë, Elida Qenami 46 vjeçe, u konfliktuan verbalisht me njëra-tjetrën, ku për shuar sherrin ndërhynë edhe familjarët e tyre. Zyrtarisht policia tha se debati nisi për tavolinën në lokali ku ishin ulur përballë shkollës. Por, burimet sqaruan për ABC se debati mes tyre ka nisur një javë më parë për menaxhimin dhe administrimin e klasave në shkollë. Në pranga u vu 39 vjeçari Edmond Faja, ndërsa pistoletën tip TT, policia e sekuestroi në vendngjarje. Mes personave që po hetohen në gjendje të lirë është një punonjës i policisë ushtarake, Ndriçim Qefalija. Sherri ndodhir para nisjes së mësimit, duke dhë një shfaqje të shëmtuar për nxënësit. Prindërit e e cilësuan të turpshëm sherrin teksa thanë se stafi pedagogjik duhet të edukojë fëmijët, e jo të zihet në prezencë të tyre. be.k/Abcnews.al