Sherr për valixhen bërthamore të SHBA-së

schedule22:49 - 19 Shkurt, 2018

schedule 22:49 - 19 Shkurt, 2018

Ka përmasa të vogla, por një fuqi të jashtëzakonshme. Valixhja me kodet bërthamore që presidenti amerikan merr me vete ka futur në sherr stafin e Donald Trump me agjentët kinezë të sigurisë.

Valixhja bërthamore e Donald Trump ka futur në sherr delegacionin amerikan me agjentët kinezë të sigurisë gjatë turit aziatik të presidentit amerikan. Ngjarja ka ndodhur nëntorin e kaluar por vetëm këtë të hënë është zbuluar nga mediat amerikane, sipas të cilave protagonisti kryesor ka qenë shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë, John Kelly.

Në Sallën e madhe të popullit, në Pekin, oficerit që ndjek presidentin me valixhen me kodet bërthamore nuk i është lejuar hyrja dhe i është kërkuar që ta dorëzojë objektin. Në këto kushte, një anëtar i stafit ka shkuar tek Kelly, i cili ka ndërhyrë duke deklaruar qartë se valixhja, e njohur me nofkën “Futbolli”, shkon me presidentin.

Në këtë pikë, një oficer i sigurisë kineze ka kapur Kellyn, por ky i fundit e ka shtyrë duke e hedhur tutje, i ndihmuar nga një prej truprojave. Sipas mediave amerikane, në asnjë rrethanë valixhja nuk mund të binte në duart e kinezëve dhe një nga krerët më të lartë të shërbimeve kineze të sigurisë më pas i kërkoi falje delegacionit amerikan./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!