Sherr me thika mes barinjve, arrestohet 54-vjeçari! Pranga edhe autorit të plagosjes 3 ditë më parë

schedule10:21 - 11 Tetor, 2020

schedule 10:21 - 11 Tetor, 2020

Dy persona janë arrestuar nga policia e Korçës pasi akuzohen për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Në pranga është vënë K. S., 54 vjeç pasi 6 ditë më parë ka tentuar të vrasë me mjet prerës një 17-vjeçar duke i shkaktuar plagë në kokë. Dy personat që janë konfliktuar me njëri-tjetrin teksa kanë qenë duke ruajtur bagëtitë.

Ndërsa është arrestuar E. I., 46 vjeç pasi 3 ditë më parë ka qëlluar me mjet prerës në këmbë një 28-vjeçar. Të dy të plagosurit janë dërguar në spital për mjekim dhe tashmë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Tashmë materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

“Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapen dhe ndalohen nga Policia dy shtetas të shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”. Shërbimet e Komisariateve të Policisë Maliq dhe Korçë, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim për krime të kryera kundër shëndetit dhe jetës së personave, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe falë mirëorganizimit bënë të mundur ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim:

K.S., 54 vjeç, banues në fshatin Këmbëthekër, Maliq, pasi ky shtetas më datë 05.10.2020, në këtë fshat, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë një 17-vjeçar, banues në Maliq, duke e goditur me mjet prerës në kokë, i cili pasi ka marrë mjekimin në Spitalin e Korçës është larguar në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore.

E.I., 46 vjeç, banues në Korçë, pasi ky shtetas më datë 08.10.2020, në lagjen nr. 17, për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës në këmbë, shtetasin P. M., 28 vjeç, banues në Korçë, i cili pasi ka marrë mjekim në Spitalin e Korçës, është larguar në banesë. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme”, njofton policia./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!