Sherr me kryetarin e PS-së në Durrës, shkarkohet nga detyra sekretari i Këshillit Bashkiak

schedule18:16 - 11 Tetor, 2019

schedule 18:16 - 11 Tetor, 2019

Përplasjet brenda kampit socialist në Durrës sollën shkarkimin e sekretarit të Këshillit Bashkiak Armand Tragaj. Shkak për debatet janë bërë disa emërime në bashkinë e qytetit.

Socialistët e Durrësit nuk po gjejnë qetësi. ABC News transmetoi dy ditë më parë për ndarjen e socialistëve në dy kampe kundërshtarë për shkak të disa emërimeve në Bashkinë e Durrësit.

Pas sherrit me Luan Zazën, kryetarin e PS në Durrës, Armand Tragajn sekretarin e këshillit bashkiak e shkarkuan. Vendimi u miratua nga këshilli bashkiak i Durrësit dhe në këtë post u emërua Dorina Milja.

Shkarkimin e priste, por kishte ca porosi për të vetët. Tragaj u tha se luftën politike e kanë brenda kësaj salle dhe herë tjetër të votojnë për interesat e qytetarëve.

Propozimi për shkarkimin e tij u bë ditë më parë, gjë që më herët nxiti reagimin e ashpër të Tragajt, i cili u përfshi në një konflikt fizik me kreun e PS-së Durrës Luan Zaza në një lokal pranë bashkisë së Durrësit.

Juristi u caktua në këtë post në vitin 2016 dhe vinte nga radhët e LSI-së. Por në mbledhjen e këshillit bashkiak pati edhe përplasje të tjera.

Kryetarja e bashkisë Valbona Sako dhe kryetari Këshillit Bashkiak Ani Dyrmishi kanë debatuar mbi një pikë e cila më herët ishte përfshirë në rendin e ditës, por që u hoq me propozim të këshilltarëve socialist, ajo e miratimit të një fondi për rikonstruksionin e bashkisë.

Sako i ka kërkuar Dyrmishit që të flasin të autorizuarit mbi rëndësinë e fondit, por ai nuk ka pranuar që të diskutohet mbi një pikë e cila u përjashtua nga rendi i ditës.

Heqja nga rendi i ditës së fondit për rikonstruksionin e bashkisë u bë me miratimin e këahilltarëve të cilët kërkuan shtyrje të kësaj ndërhyrje për në 2020 dhe se të tilla fonde duhet të shkojnë per familjet në nevojë strehimi./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!