Tre të burgosur u përfshinë në një konflikt të dhunshëm në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale në Fier, në ambientin e jashtëm të ajrimit.
Denis Brajoviç i njohur edhe me mbiemrin Bajri me origjinë nga Shkodra, Jurgen Zotaj nga Vlora dhe Aldo Gjini nga Elbasani, fillimisht u përplasën fizikisht me njëri tjetrin, ndërsa sherri degradoi në përdorimin e sendeve të improvizuara.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëjnë me dije se konflikti mes të treve ka nisur gjatë kohës kur po konsumonin kafe në hapësirën e ajrimit.
Vetëm dy prej tyre mbetën të lënduar pas konfliktit me brisqe dhe mjete të tjera rrethanore, Denis Bajri dhe Jurgen Zotaj, të cilët u dërguan në spitalin e burgut për të marrë mjekim dhe më pas u dërguan sërish në qeli, të shoqëruar me forca policore.
Denis Brajovic është person me rrezikshmëri të lartë, i akuzuar nga SPAK për vrasjen e Gjin Ndoj, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2020 në Vaun e Dejës . Jurgen Zotaj mbahet në burg për vjedhje me dhunë dhe mbajtje pa leje të armës së zjarrit, ndërsa Aldo Gjini për plagosje.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve do të marrë masa ndëshkuese për të tre personat, ndërsa konflikte të tilla në ambientet e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale janë të përsëritura.


