Sherefedin Shehu: Varfëria në rritje, ekonomia ka nevojë për një plan shpëtimi

schedule08:09 - 2 Qershor, 2020

schedule 08:09 - 2 Qershor, 2020

Eksperti i ekonomisë Sherefedin Shehu në “ABC e mëngjesit” ka folur për zhvillimet dhe rënin e ekonomisë. I ndalur te raporti i Bankës Botërore në të cilin theksohet një rënie e ekonomisë ai u shpreh se ky realitet mund të përkeqësohet.

Ai shton se vendi ndodhej në një krizë, por për shkak të pandemisë është përkeqësuar edhe më shumë. Sipas tij qeveria tashmë duhet të marrë masa për të parandaluar këtë krizë. “Nga 40 % varfëria pritet të rritet në 60% dhe qeveria duhet të marrë masa sa më parë”, u shpreh ai.

Shehu shtoi se ekonomia nuk po pësonte rritje, por tashmë sipas tij jemi në një situatë ku pritet që rënia të shkojë në 5%. Ndërkohë paketat e qeverisë ai i ka cilësuar gjysmake.

“Ekonomia ka pasur nevoja për reforma strukturore më herët. Tani duhet të paktën popullsia të mbështetet për të kaluar këto muaj të vështirë. Në raportin e Bankës Botërore bëhet me dije se ata që do të goditen më shumë janë pjesa e paregjistruar”, tha ai.

Sa i përket kultivimit të kanabis ai shtoi se rritja e prodhimit dhe tregtimit të drogërave të ndryshme është një fenomen që ka qenë prezent dhe ka ardhur duke u rritur në Shqipëri.

“Ky fenomen e ka çuar ekonominë shqiptare në ngërç. 90 deri në 95 % e të ardhurave nga droga shkojnë në sektorin e ndërtimit. Ndërsa kemi një rritje të dukshme të investimeve private, nuk ka rritje të kreditimit bankar”, deklaroi Shehu.

Më tej ai shpjegoi se në vendin tonë është përjashtuar zhvillimi i sektorëve të tjerë ekonomik.

“I vetmi shpëtim do të ishte një plan të paktën dy vjeçar i qeverisë për mbështetjen sociale të popullsisë dhe të biznesit”, tha ndër të tjera eksperti i ekonomisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!