Shërbimi rus i Sigurisë: Mijëra diplomatëve u janë hakuar telefonat

schedule14:51 - 1 Qershor, 2023

schedule 14:51 - 1 Qershor, 2023

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë (FSB) pretendon se mijëra telefona të tipit Iphone të diplomatëve rusë janë sulmuar nga hakerë.

Përmes një deklaratë të publikuar më 1 qershor, FSB-ja tha se dyshohet që hakerët kishin cak iPhone-ët e diplomatëve që punonin në ambasadat dhe konsullatat ruse në vendet që janë anëtare të NATO-s, ish-republikat sovjetike, si dhe në Kinë, Izrael dhe Siri.

Në deklaratën e publikuar nuk u dha asnjë detaje apo dëshmi për këtë sulm të supozuar kibernetik. Aty vetëm u tha se një aplikacion “i panjohur” që kishte cak pjesë të cenueshme të sistemit operativ iOS ishte përdorur nga hakerat.

“Informacionet e marra nga shërbimet speciale ruse tregojnë bashkëpunim të ngushtë ndërmjet kompanisë amerikane Apple me komunitetin e sigurisë kombëtare, përkatësisht me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA), dhe konfirmon se politika e deklaruar për sigurim të konfidencialitetit të të dhënave personale të përdoruesve të pajisjeve të kompanisë Apple nuk korrespondon me realitetin”, thuhet në deklaratën e FSB-së.

Apple dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së nuk e kanë komentuar ende deklaratën e FSB-së.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë se deklarata e FSB-së “meriton vëmendje”, megjithëse “ne nuk kemi autoritet” për ta kufizuar përdorimin e telefonave të tipit iPhone nga zyrtarët.

Peskov shtoi se përderisa disa nga zyrtarët e Kremlinit përdorin iPhone, disa gjithashtu kanë filluar ta zëvendësojnë atë me telefona të kompanive të tjera.

Mediat ruse raportuan në mars se disa zyrtarëve rusë dyshohet se iu tha të mos i përdornin iPhone-ët e tyre për shkaqe sigurie.

Apple dhe NSA-ja kanë pasur përplasje në të kaluarën lidhur me qasjen në të dhënat e përdoruesve. Kompania e ka refuzuar fuqishëm një mundësi të tillë.

Në vitin 2021 ishte raportuar për një sulm masiv në produktet e Apple përmes programit të spiunimit Pegasus, program i krijuar nga një kompani izraelite, NSO Group. Programi ishte përdorur nga shërbimet e inteligjencës të vendeve të tjera.

Apple e ka paditur NSO Group.

Apple i ndaloi shitjet direkte të iPhone-ve në Rusi vitin e kaluar për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Kremlini. Megjithatë, ende ekzistojnë mënyra për importim të këtyre telefonave në Rusi./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!