Rritja e çmimeve në eurozonë u përshpejtuar gjatë nëntorit, duke bërë që inflacioni sipas Eurostat të arrijë në 2.3%, nga 2% që ishte në tetor. Ky tregues që qëndron mbi objektivin e Bankës Qendrore Europiane shkon në linjë edhe me parashikimet e ekonomistëve në një anketë të Reuters.
Ndikim kryesor në rritjen e inflacionit kanë dhënë ccmimet e shërbimeve me normën më të lartë vjetore prej 3.9%, ndjekur nga artikujt ushqimore dhe duhani, teksa çmimet e energjisë janë ngadalësuar këtë periudhë edhe më tej.
Pas rënies së inflacionit në shtator në 1.7%, ai iu rikthye rritjes duke zbehur kështu edhe spekulimet për një ulje të mundshme të normës së interesit nga Banka Europiane në dhjetor. Kjo edhe për shkak të rritjes së dobët të ekonomisë së eurozonës.
Zyrtarët e Bankës Europiane kanë deklaruar se do të tregohen të kujdesshëm në drejtim të politikës monetare dhe vendimet do të jenë bazuar mbi të dhënat e ekonomisë dhe ecurisë së inflacionit.
Pak ditë më parë, në një raport të Komisionit Europian nënvizohej se ekonomia e eurozonës do të ketë një rritje të ngadaltë në vetëm 0.9% për këtë vit. Ndikimi kryesor vjen nga ekonomia më e madhe e bllokut, ajo e Gjermanisë që ka mbetur në vend numëro me një rënie të theksuar të besimit të qytetarëve dhe bizneseve te ekonomia.
Inflacioni në Gjermani në nëntor shënoi një normë në 2.2%, duke u rritur në raport me një muaj më parë kur ky tregues rezultoi 2%./abcnews.al