Shënoi golin e parë te Besiktas, Muçi me “këmbë në tokë”: Bëmë atë që duhej të bënim

schedule23:23 - 25 Shkurt, 2024

schedule 23:23 - 25 Shkurt, 2024

Duket se kjo e dielë është e diela e “Legjionarëve” të Kombëtares sonë. Pas golit të Rey Manajt e asistimit të Kristjan Asllani, një tjetër “ylli” i “Kuqezinjve” është kthyer në protagonist me ish-“fantazistin” e “Bardhebluve”, të Tiranës, i cili tashmë është pjesë e “Shqiponjave të Zeza”, të Besiktas, Ernest Muçi, që ka gjetur golin e parë në Turqi.

Talenti 22-vjeçar ka arritur të dyfishojë shifrat ndaj skuadrës së Istanbulspor, duke gëzuar jo pak tifozët, por edhe teknikun, Fernando Santos, teksa në minutën e 54’-të, të sfidës merr një pasim të shkurtër, nga Gedson Fernandes dhe me një goditje potente dërgon topin në rrjetën e kundërshtarëve.

Pas ndeshjes, ish-“ylli” i “Bardhebluve” foli edhe për mediat turke, nga ku vuri theksin te fitorja e madhe, ndaj skuadrë së Istanbulspor e më tej u ndal te objektivat e tij, teksa u shpreh se duhet të kontribuojë në sulm dhe gola.

“Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Ne bëmë atë që duhej të bënim, punën tonë. Duhet të fokusohemi dhe të luajmë si sot. Nuk pësuam gol dhe shënuam 2 gola. Këto janë gjëra të mira.

Nuk mendoj shumë për të shënuar gola. Jam një lojtar sulmues, duhet të kontribuoj në sulm dhe gola. Kjo është ajo që pritet nga unë. Është më shumë e rëndësishme për mua të ndihmoj ekipin, është e rëndësishme për mua të ndihmoj mbrojtjen. Kemi luajtur mirë, duam të vazhdojmë kështu”,- u shpreh Muçi.  /i.m /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!