Dy persona kanë humbur jetën sot në Kosovë si pasojë e motit të keq. Një shtetas turk ka humbur jetën në Rahovec pasi është goditur nga rrufeja. Bashkë me të nga rrufeja është goditur edhe një person tjetër, i cili ka shpëtuar dhe është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj tha se viktima 34-vjeçar dhe i lënduari 28-vjeçar, janë shtetas turk, dhe në momentin kur janë goditur nga rrufeja kanë qenë duke punuar. Sipas mjekut kujdestar në QKUK, gjendja e të lënduarit është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërsa viktima e dytë është një 30-vjeçar nga Prishtina, i cili humbi jetën si pasojë e rrëzimit të një lisi. Dita e hënë u karakterizua me stuhi dhe rrebeshe të shiut, në pjesë të ndryshme të Kosovës.