Koronavirusi ka marrë jetën e 4-t në vend, mëngjesin e sotëm.
Njoftimin e ka dhënë Ministria e Shëndetësisë e cila ka njoftuar se, një 43 vjeçar nga Kavaja, nuk ka mundur dot të fitojë luftën ndaj Covid-19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja e 43 vjeçarit është rënduar mbrëmjen e djeshme, ku viktima është vendosur në frymëmarrje të drejtuar.
Ministria e shëndetësisë njofton se 43 vjeçari përpos obezitetit, nuk kishte probleme të tjera shëndetësore.
Ndërkohë mbrëmjen e djeshme një tjetër person i infektuar nga Covid -19 ka humbur jetën.
Një 71-vjeçar nga Kuçova nuk ka mundur të fitojë betejën pasi sipas Ministrisë së Shëndetësisë vuante nga një sërë sëmundjesh të rënda.
Po ashtu 1 tjetër viktimë nga Koronavirusi u shënua në 11 mars, ku një 73-vjeçare humbi jetën, ndërsa në 18 mars, një 66-vjeçar nga Lushnja, nuk ka mundur të mbijetojë.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
“Ministria e Shëndetësisë/Zyrtare
COVID-19/ Ndërron jetë në spitalin infektiv pacienti 43-vjeçar, viktima e 4 me COVID-19
Gjatë mëngjesit të sotëm ndërroi jetë një pacient 43-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive.
Pas rëndimit të gjendjen gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
43-vjeçari është viktima e katërt i prekur nga COVID-19 në Shqipëri.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit dhe apelon dhe një herë qytetarët të respektojnë me shumë rigorozitet rregullat e distancimit social dhe të telefonojnë 127 në rast se kanë shenja të sëmundjes”./abcnews.al

