Shenjat e gishtave identifikojnë dy personat në avionin që ra në Vermosh

schedule14:57 - 25 Tetor, 2021

schedule 14:57 - 25 Tetor, 2021

Nga Xhensila Kodra

Policia dhe prokuroria identifikojnë dhe shpallin në kërkim dy personat që ndodheshin në bordin e avionit që tre javë më parë u rrëzua në zonën e Vermoshit në Malësinë e Madhe.

Burime zyrtare pranë grupit hetimor thanë për ABC se ata janë dy shtetas shqiptarë. Identifikimi i tyre është bërë pak ditë më parë në sajë të përgjigjes së ADN-së për shenjat e gishtave të fiksuara në avion, si dhe mbetjet biologjike të fiksuara aty.

Për shkak të hetimeve, emrat e dy të kërkuarve nuk bëhen me dije. Kjo pasi grupi hetimor është duke punuar për të zbuluar dhe identifikuar edhe personat e tjerë që ndihmuan për t’i larguar prej andej.

Policia ka mundur të sigurojë prova për mjetin tip fuoristradë, por ende nuk kanë rënë në gjurmët e shoferit.

Dyshohet se avioni po përdorej për transport droge dhe ra nga mbipesha.

Hetuesit po verifikojnë njëkohësisht nëse sasia prej 300 kg marijuanë e sekuestruar në Mal të Zi, vetëm një ditë pas rrëzimit të avionit kanë ose jo lidhje me njëra-tjetrën.

Rast i ndodhur në Vermosh, nuk është i vetmi i ndodhur në vendin tonë. Më herët avionëve privatë që përdoreshin për transport droge janë rrëzuar në Durrës e Lushnje.

/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!