Analisti Fitim Zekthi thotë se Enkelejd Alibeaj dhe deputetë të tjerë që janë distancuar nga Lulzim Basha, nuk kanë deklaruar se do të krijojnë një parti të re.
Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, Zekthi u shpreh se ka një grupim njerëzish që kanë mendim ndryshe.
“Unë nuk i quaj zhvillime që kanë nevojë për ndonjë koment të madh. Mendoj që është qëndrim serioz nga Arbi Agalliu. Te ky grupimi, aty ka disa pikëpamje, kjo vjen edhe nga paqartësia, dobësia. Do duhej që ata të rrinin të organizuar të bashku, të bënin një parti, ose të organizuar për të pritur vendimin e gjykatës për vulën. Aty janë të gjithë, nuk kanë ikur në ndonjë vend tjetër. Ai thotë, kam mbrojtur idenë që, nuk do jem në atë grup, nuk do shkoj në ndonjë vend tjetër. Alibeaj nuk ka ende asnjë grupim. Për mua janë gjëra të parëndësishme. Opozita ka krizë më të madhe, a ka fuqi të tejkalojë individët. Nuk e ka kohën të presë. Alibeaj nuk ka thënë që do bëjë parti. Alibeaj ka thënë jam në një korsi tjetër, nuk jam në korsinë e zotit Basha. Politika në demokraci është publike. Ai grupim në PD që mendon zoti Berisha, nuk është zgjidhje. Këto janë pikëpamje, parti nuk ka. Shqetësuese, është që ky grupim nuk duhet të hallakatet, duhet të organizohet shpejt, të mbrojë idetë e veta, ose të bëjë një parti. Pritja është një gjë e keqe. Koha rrjedh për gjithkënd shumë shpejt. Koha mund të fitohet me energji të mëdha, me ritëm dhe me vullnet. Për mua, problemi nuk është te koha. Problemi është që këta nuk janë të qartë se çfarë duan të bëjnë. Lidershipi i opzitës shqiptare është në krizë, sepse mendon për veten e vet”, theksoi ai./abcnews.al