Shëngjin, probleme me ujërat e zeza

schedule16:09 - 16 Qershor, 2018

schedule 16:09 - 16 Qershor, 2018

Problemi me ndotjen në Shëngjin ende nuk është zgjidhur pavarësisht ultimatumit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit për të trajtuar siç duhet ujërat e zeza në zonat bregdetare. Grupet e kontrollit mjedisor kanë konstatuar në terren që disa biznese në Shëngjin  nuk kanë menaxhuar siç duhet ujërat e zeza dhe anijet krijojnë ndotje në port nga shkarkimet. 

Shëngjini është një ndër plazhet më të frekuentuara gjatë sezonit turistik. Por problemi me ndotjen ende nuk është zgjidhur. Shumë subjekte bëjnë një keqmenaxhim të ujërave të zeza dhe në jo pak raste ato përfundojnë në det. Shef i kontrollit Mjedisor në Lezhë, Ismail Dushku, thotë se ka patur penalizime ndaj disa bizneseve.

“49 subjekte janë që janë kontrolluar. Ka subjekte që paraqesin probleme, por iu është lënë afat që  të plotësojnë kushtet”.

Shqetësim për Dushkun mbeten edhe shkarkimet që bëhen nga anijet në portin e Shëngjinit .

“Kemi pasur probleme me ndotjen, përsa i përket vendimit të parkimit të anijeve, ku vitet e mëparshme ne kemi vepruar edhe me masat administrative”.

Grupet e punës vazhdojnë monitorimin e zonës. Ndërsa që prej 1 Qershorit është dhënë ultimatum nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që të gjitha subjektet duhet të përmirësojnë kushtet për të trajtuar siç duhet ujërat e zeza dhe për të shmangur fenomene të ndotjes në det./abcnews.al