Shëngjergji pret “Domate Fest”

schedule13:30 - 23 Shtator, 2018

schedule 13:30 - 23 Shtator, 2018

Një tjetër festë i shtohet kalendarit të festave tradicionale.  Në Shëngjergj u organizua “Domate Fest” ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Erion Veliaj apeloi për konsum të produkteve vendase ndërkohë që tha se këtë vit investimet do të shtrihen në fshatra.  

Fshatrat e Tiranës këtë vit do të njohin një sërë investimesh. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, ja bëri të ditur banorëve të Shëngjergjit ku shkoi për të marrë pjesë në festën e domates.

“Ideja e 100 fshatrave, ku ne insistuam që Shëngjergji të ishte kurora e këtij projekti për Tiranën, është falë këtij investimi të qeverisë shqiptare. Do të na shikoni shumë gjatë këtij viti, ku do të nisim me disa punime nëpër fshatrat e zonës, nëpër shtigjet ku kalojnë turistët, tek ujëvarat, tek kalatë e vjetra, dhe në shumë nga vendet atraktive të të gjithë krahinës”.

Pasi vizitoi panairin me produkte të zonës, kryebashkiaku iu bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë prodhime vendase dhe të kontribuojnë për ekonominë lokale.

“Kur them se duhet të blejmë produkte lokale, në Baldushk gjelin, në Ndroq vajin, në Petrelë mjaltin, në Shëngjergj domaten, është një mënyrë sesi ekonomia e Tiranës mund të jetojë”.

Shëngjergji është një nga 100 fshatrat në të cilat Ministria e Bujqësisë synon të sjellë një model të ri të zhvillimit rural./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!