Dr. Astrit Bimbashi gjinekolog-obsteter ka reaguar për projektligjin “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”, i cili ka për qëllim garantimin e të drejtave seksuale dhe riprodhuese në vend. Nëpërmjet ndryshimeve të propozuara, Ministria e Shëndetësisë synon të rregullojë më ligj shtatzëninë surrogate, riprodhimin in Vitro, abortin etj.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, mjeku ka deklaruar se ky ligj për shëndetin riprodhues është bërë në vitin 2002, por kishte ardhur koha në kushte të reja dhe në një sfond të ri social për përmirësim.
“Ligji i shëndetit riprodhues është bërë në 2002 për herë të parë dhe në thelb flitet për riprodhimin e gruas dhe thuhet që vlera e një kombi qendron pikërisht këtu. Në thelb ligji ka tre faza, adoleshenca te trupi i gruas, e dyta, riprodhimi dhe post riprodhimi menopazuaza e gruas.
Unë nuk vij këtu vetëm si përfaqësues i vetes, por dhe i një grupi shumë të madh mjekësh. Ky ligj bëhet për një grup të caktuar që janë gratë dhe në qoftë se do të kemi ligje jo të mira, i bie që unë të luaj keq te gratë dhe i bie të ketë pasoja në njerëz.
Me burimet financiare që ka një vend, nga Vermoshi në Konispol, duhet të dimë se çfarë të bëjmë me një grua shtatzënë. Në vitin 2021 u bë strategjia e shëndetit, që ishte një dokument perfekt.
Koha i kishte ardhur që ligji i bërë në 2002 të përmirësohej në kushte të reja, në një sfond të ri social dhe është përmirësuar ndryshe.
Ky ligji ruan dhe mjekët nga problemet gjyqësore. Në rast se nuk ke asgjë të firmosur, shumë mjekë kanë të hapura probleme gjyqësore”.
Sa i përket çështjes së surrogacisë, mjeku ka thënë se në vendin tonë nuk ka qene e ndaluar, duke treguar dhe një rast të realizuar nga vetë ai.
“Surrogacia në Shqipëri nuk ka qene e ndaluar. Ndodh kur embrionin e një çifti ja delegon një gruaje tjetër dhe ajo e mban. Kemi pasur rastin e një vajze që bëri bujë, që një vajzë kishte hequr mitrën se kishte probleme dhe ia mbajti e ëma”./abcnews.al