Në një intervistë ku ka rrëfyer sfidat në mjekësi, ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu, foli edhe për përgjegjësitë dhe detyrimin për t’i shërbyer interesit më të lartë publik.
Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, Koçiu u ndal edhe tek incidenti në QSUT, duke thënë se u bë një ‘zhurmë’ politike dhe se u keqpërdor nga opozita, gjë për të cilën tha se është për të ardhur keq.
Më tej shtoi se janë marrë të gjitha masat për të ofruar shërbimin shëndetësor që zhvillohej në këto ambiente brenda godinës së spitalit të sëmundjeve të brendshme.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Ka shumë mjekë që duan të vijnë në Shqipëri, disa kërkojnë të kthehen, por sërish hezitojnë.
Albana Koçiu: Nuk do të thoja që hezitojnë, nuk e di pse e mendon. Duan të kthehen, kam takuar mjekë shqiptarë gjatë kësaj periudhe që jetojnë jashtë dhe duan të kthehen. Kanë procedurat e tyre atje ku punojnë dhe jetojnë të cilat do duhet të mbyllin janë të mirëpritur në strukturat publike shqiptare. Dua të theksoj që kam parë gjatë kësaj periudhe që jam në këtë detyrë të rinj që kanë përfunduar shkollën e mjekësisë dhe punojnë sot në spitale rajonale dhe spitale bashkiake dhe duan të qëndrojnë në po ato spitale në përfundim të periudhës tre vjeçare të detyrimit për të punuar, gjë që pa diskutim të mbush me optimizëm. Të rinjtë dhe të rejat janë mjekë që mund të kishin mundësinë të iknin dhe të emigronin, por kanë zgjedhur të punojnë në spitalet tona, për arsyen e vetme se infrastruktura aty është përmirësuar ndjeshëm, pagat janë përmirësuar, pajisjet janë të fjalës së fundit. Mund ta ushtrojnë detyrën njësoj si në të gjithë vendet e tjera. Sfidë kemi patjetër, nuk themi se kemi arritur maksimumin tonë. Patjetër që kemi për të bërë akoma më shumë, kur vjen puna te komunikimi, fryma ekipit, trajtimi pacientëve kemi sfida ende. Duhet të bëjmë ende më shumë kur vjen puna se si e ofrojmë shërbimin ndaj qytetarëve dhe si bëjmë më shumë për të rritur profesionalizmin e ekipeve që punojnë dhe japin shërbimet në spitalet bashkiake dhe rajonale.
Pyetje: Sfidat janë të forta, institucioni nuk i ka shpëtuar dot SPAK. Si e menaxhoni këtë situatë? Ka ndër to që thonë se për shkak të SPAK ka bllokim të punës…
Albana Koçiu: Në fakt unë kam shërbyer për 10 vite si drejtuese e departamentit të administratës publike dhe në ato 10 vite falë mbështetjes së kryeministrit arritëm të bëjmë progres shumë të madh në reformën e administratës publike. Së pari, futëm konceptin e rekrutimit për një vend pune në administratë publike dhe sot është fakt që kushdo të futet të punësohet në shtet duhet të kryejë një procedurë rekrutimi, të ketë një formim të caktuar të bëjë një dosje të vetën të aplikojë, të bëjë një test me shkrim, intervistë me gojë, në fund të të cilave ti vlerësohesh për të qenë një punonjës i denjë në administratë. Me këtë dua të them që kushdo që ka marrë përsipër të ushtrojë një funksion publik, patjetër që ka marrë përsipër dhe përgjegjësinë dhe detyrimin për t’i shërbyer interesit më të lartë publik. Thënë kjo, të gjithë ne, punonjësit që shërbejnë në administratë publike, i njeh edhe detyrimet e tij karshi interesit më të lartë publik. Duhet të njohë mirë rregullat, ligjet, do duhet t’i zbatojë ato ashtu siç duhet, dhe do duhet të funksionojë dhe veprojë në interesin më të lartë, publik.
/abcnews.al/