“Shëndetësi falas, timon dhe tepsi?” Hysko në Log.: S’ka më kohë për eksperimente politike

schedule22:32 - 15 Shkurt, 2021

schedule 22:32 - 15 Shkurt, 2021

Mbrëmjen e sotme në emisionin “Log.” u diskutua rreth fushatës politike, programet, emrat e rinj të përfshirë në politikë dhe ndryshimet që pritet të sjellë secili përfaqësues.

Deputeti i PS, Eljo Hysko gjatë bisedës me gazetarin Endri Xhafo tha se Partia Socialiste e meriton një mandat të tretë sepse sipas tij qeveria Rama është duke çuar përpara reformat e ndërmarra që sipas tij kanë sjellë ndryshim në vend.

Lexo edhe: “Largohesh nga PD nëse Basha nuk të fut sërish në listat për deputetë?” Këlliçi: Jam pjesë e listave

“Mandatin e parë e nisëm me rritjen ekonomike. Më pas vijuam me sistemin e shëndetësisë. Kemi të bëjmë një mandat që synon vijimin e reformave ku një pjesë e madhe sot janë falas. Sot kemi 256 shkolla me standarde evropiane. Janë rindërtuar shkollat e ndërtuar”, u shpreh Hysko, duke shtuar se sipas tij s’ka më kohë për eksperimente politike dhe se PD, LSI, PDIU nuk prodhojnë një ekip qeverisës të denjë.

I pyetur për mungesën e një programi për mandatin e tretë, Hysko tha se deri në këtë situatë do të bëhet bilanci i 8 viteve të fundit, duke shkuar në zgjedhjet e 25 prillit me një program i cili është duke u punuar.

“Të gjitha shtyllat shëndetësia, bujqësia, arsimi, janë prekur drejtpërdrejt dhe do të ketë nevojë për përmirësim”, tha Hysko.

Ndërkohë kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, tha se shteti sipas tij është i papërgatitur.

“Ritmet rindërtimit janë ngadalësuar. Askush nuk punon për qytetarët. Kemi të bëjmë me një qeveri që vetëm ka vjedhur, që gjatë pandemisë 100 mijë qytetarë shqiptarë kanë humbur vendet e punës. Kemi një qeveri ka shtyrë shqiptarët drejt azilit. Për herë të parë në 2020 numri i vdekjeve ka tejkaluar numrin e lindjeve”, tha ai.

Po ashtu ai tha se represioni ndaj të rinjve është arsyeja e largimit të shqiptarëve.

“Po ikin edhe ata që kanë një punë të mirë sepse këtu mungon edhe siguria. PD sot që ne flasim ka prezantuar programin e saj, ndërsa pala përballë nuk ka fakte konkrete veçse dy pika në planin e tyre , timonin dhe tepsinë”, tha më tej Këlliçi.

Ndërsa reagoi me kritika ndaj kryebashkiakut  të Tiranës, Erion Veliaj, Këlliçi tha se ky i fundit nuk ka bërë asnjë investim në të mirë të kryeqytetit, duke e konsideruar modelin e një të riu që hyn në politikë më të vjetër se të vjetrit.

Tiranën e ka bërë një qytet të pabanueshëm, Sot është e pamundur që Tirana të jetë qytet për të rinjtë. E gjithë rruga e Elbasanit po hiqet nga mbrojtja e trashëgimisë për të bërë kulla. Një i ri që hyri në politik dhe është më keq se Edi Rama”, shtoi më tej Këlliçi.

Aktivisti i Nismës “Thurje”, Endrit Shabani, tha kërkojnë që në parlament të shkojnë me një program ligjvënës.

“Sot kemi një sistem zgjedhor, por edhe një kulturë politike që nuk arrijmë të kemi ndarjen e tri pushteteve. Ne do të jemi nga të vetmit vend në botë që nuk kemi ligj për referendumet. Nuk ka një ligj që ne si popull të na mundësojë të ushtrojmë sovranitetin në mënyrë direkte. Demokracia përfaqësuese këtu është ezauruar. Kriza e përfaqësimit këtu është e jashtëzakonshme.

Ne nuk po hyjmë në parlament për të qeverisur, por për të çuar përpara 33 projektligje që i kemi. Ne besojmë se ajo që ka nevojë vendi është transformim rrënjësor, ne kemi një vizion dhe po vazhdojë pushteti të përqendrohen në 3-4 familje, jo 500 mijë por edhe 1 milion do të largohen. Nuk kemi në plan të mbajmë në pushtet Edi Ramën apo të sjellim në pushtet Lulzim Bashën. Besoj që ka nevojë të ndahet e shkuara nga e ardhmja”, tha Shabani.

Fabian Topollaj, nga Bindja Demokratike u shpreh se do të garojnë në zgjedhje me lista të hapura, ndërsa shtoi se është më racionale që rezultatet që përkthehen në mandatë të përdoret për të nisur ndryshimin në vend, duke shtuar se pranon bashkëpunim me këdo që pranon listën e hapur.

“Njerëzit duhet të marrin pushtetet në dorë. Ne për ta treguar që jemi mbështetës krijimin e bindjes politike, kemi propozuar një listë të hapur dhe Bindja Demokratike do të jetë e vetmja forcë politike që do të garojë me listë të hapur”, u shpreh Topollaj.

/abcnews.al/