Shembjet te “5 Maji”, avokati Lapaj: Kërkesat më problematike, kontrata dhe bonuset e qirave

schedule19:31 - 9 Shkurt, 2022

schedule 19:31 - 9 Shkurt, 2022

Rezistenca e banorëve prej ditësh nuk i ka penguar fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit të vijojnë edhe ditën e sotme aksionin për shembjen e objekteve që preken nga projekti i lagjes së re tek “5 Maji”.  Një pjesë e vogël e banorëve kanë vijuar të kundërshtojnë shembjen e banesave, për të cilat Bashkia e Tiranës ka garantuar se do të dëmshpërblehen 100 % për pronën e tyre.

Avokati Adriatik Lapaj i ftuar në “Radarin Informativ” në Abc News ka folur për kërkesat e banorëve dhe se sa prej tyre janë të realizueshme. Ndër problemet kryesore sipas Lapajt janë vendosja e kontratës pa afat dhe pika e bonuseve të qirave.

“Kontratë pa afat s’mund të ketë. Një nga gjërat që kërkojnë është kontrata me afat. Pse s’i vini një afat. Dhe thonë që kontrata që ka shteti me firmat është 18 muaj. Po ti një afat do i  vendosësh s’mund ti lësh pa afat. Problemi kryesor në atë situatë është vendosja e afateve, problemi i bonuseve të qirave, nëse një e këtu nëse e ke në Kukës, ti nuk përfiton se ke banesë në Kukës”, tha Lapaj.

Pse duhet të shohim këto përplasje? “Sepse sa herë ka probleme parash dhe shpronësie ka tension. Ne këtu, në këto skena i harrojmë pronarët që u janë zënë toka. Këto ndodhin sepse s’ka vendosshmëri që ta shohin të vërtetën në sy”, shtoi Lapaj.

Sipas VKM të gjithë banorëve që do ju shemben shtëpitë do të trajtohen do të marrin 100 % metra katror për objektin dhe truallin dhe do të trajtohen me bonus qiraje deri në përfundimin e banesave të reja.  Lagjja e re “5 Maji” do të kthehet në një qendër të re urbane për 11 mijë banorë, me apartamente, njësi shërbimesh tregtare, shkolla, kopshte, çerdhe dhe godina institucionesh. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!