Një urë e madhe u shemb të martën në Baltimore, Maryland të SHBA pasi u godit nga një anije mallrash. Ngjarja raportohet se ka ndodhur rreth orës 1:30 të mëngjesit me orën lokale.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se disa makina kanë rënë në ujë dhe si pasojë kanë humbur jetën 6 persona, të cilët rezultojnë të zhdukur.
Një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, nga Chicago SHBA, inxhinieri shqiptar dhe konstruktori i urave, Fatjon Shkurti ka ndarë më shumë detaje nga ana teknike rreth kësaj ure. Ai ka theksuar se kjo lloj ure përfaqëson kohën kur zhvillohej dhe industria ishte më e lira.
Sipas Shkurtit, kjo urë ishte tepër e brishtë në kuptimin që në qoftë se një element i urës bie, e gjithë ura mund të shkojë poshtë.
“Me sa mund të shohim është një katastrofë dhe lloji i urës është i vitit 1970. Në të gjitha vendet ku kam shkuar dhe kam parë në diskutime profesionale, kjo lloj ure përfaqëson kohën kur zhvillohej dhe industria nuk ishte në këtë status që është sot. Kjo ishte si më e lira dhe është shumë e eficente nga ana materiale, por ka të keqen që është shumë e brishtë në kuptimin që në qoftë se një element i urës bie, e gjithë ura mund të shkojë poshtë, sikur ka qene urë e vënë me shkrepse.
Unë kam bërë dhe ura të këtyre hapësirave, më e madhja që kam projektuar është Ura e St. Louis në Missouri. Përpara se të ndërtojmë një urë, ne flasim me ata që kryejnë lëvizjen e mallrave dhe llogarisim pak a shumë se sa vapora me mallra kalojnë dhe gjejmë se cili është më i madhi”, u shpreh ndër të tjera inxhinieri./abcnews.al