Shembja e ndërtesës në Marsejë, shkon në 5 numri i viktimave

schedule20:33 - 10 Prill, 2023

schedule 20:33 - 10 Prill, 2023

Ekipet e shpëtimit gjetën një tjetër trup, i pesti gjithsej, në rrënojat e ndërtesave të banimit që u shembën të dielën në Marsejë, pas një shpërthimi, njoftoi kryebashkiaku i qytetit.

Më herët, autoritetet lokale thanë se tetë persona ishin të zhdukur pasi shpërthimi shkatërroi dy ndërtesa apartamentesh dhe u shemb pjesërisht një i tretë. Ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit.

Pesë persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Të gjejmë të vdekur të tjerë është e vështirë, u tha gazetarëve në Marsejë Ministri i Strehimit Olivier Klein. “Qeveria, duhet të mbështesë viktimat, familjet e tyre dhe ata që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre,” shtoi ai.

“Operacioni i shpëtimit vazhdon me kujdes dhe vendosmëri”, theksoi ai. Gjithsej 40 ndërtesa pranë vendit të fatkeqësisë janë evakuuar.

Shembja shkaktoi një zjarr që pengoi kërkimet, të cilat vazhduan deri në mëngjesin e së hënës.

Në vitin 2018, në një distancë prej rreth 1 kilometër nga ky vend, u shembën tre ndërtesa të tjera që ishin cilësuar të pabanueshme, duke shkaktuar vdekjen e tetë personave. Prokurori i Marsejës vuri në dukje megjithatë se ndërtesat që u shembën të dielën nuk kishin probleme strukturore dhe po hetohet mundësia që shkatërrimi të ishte shkaktuar nga një shpërthim gazi. /abcnews.al