Një incident tronditi të martën tifozët rusë të mbledhur në kryeqytetin e Italisë për ndeshjen e futbollit Romë-CSKA. Shkallët lëvizëse të një stacioni metroje u shembën duke plagosur 20 prej tyre dhe bllokuar disa të tjerë. Sipas mediave italiane, struktura u shemb për shkak se tifozët rusë po këndonin dhe po kërcenin teksa shkalla ishte në lëvizje.
Të lënduarit u dëmtuan kryesisht tek këmbët. Prej tyre, vetëm një person është në gjendje të rëndë. Ndërkohë, në një ngjarje tjetër, një tifoz rus u plagos me thikë dhe dy të tjerë u sulmuan fizikisht gjatë një përleshje mes tifozërive, në një zonë pranë stadiumit “Olimpiko”. Forcat e rendit përdorën gaz lotësjellës për të ndaluar sherrin dhe ndaluan 15 tifozë italianë./abcnews.al