Julian Shehu, mesfushori i Laçit, i cili në verë u kërkua me ngulm nga disa klube të Superiores, mes tyre edhe nga Partizani kampion në fuqi, ka vendosur të menaxhohet nga një kompani e huaj, konkretisht spanjolle.
RGFootball Management ka bërë me dije nisjen e bashkëpunimit me lojtarin e Laçit, i cili në verë mund edhe të ndryshojë skuadër. Sigurisht do të jenë kurbinasit ata që do të vendosin, pasi ka edhe një vit kontratë. Normalisht për klubin do të ishte pozitive të arkëtonin të ardhura nga shitja e ndonjë lojtari, sidomos në një periudhë si kjo.
ZYRTARIZIMI – “Julian Shehu i ka besuar RGFootball Management për të vazhduar rritjen e tij në karrierën sportive. Mesfushori i Shqipërisë U21, ka edhe një vit kontratë me klubin e tij, KF Laçi, me të cilin arriti një marrëveshje verën e shkuar dhe ai është titullar në ekipin e tij, duke luajtur në 25 ndeshje në kampionat, të gjitha si titullar.
Përveç këtyre ndeshjeve, ai ka luajtur edhe në kualifikueset e Europa League kundër Hapoer Beer Sheva dhe dy ndeshje në Kupën e Shqipërisë. Mirë se vjen Julian”, shkruhet në njoftimin e bërë nga kompania, që ka në menaxhim lojtarë që kryesisht luajnë në Spanjë. /abcnews.al