Shehi: Shpresoj të mos ndikojnë mungesat, në këtë fazë merren frytet e sezonit

schedule11:15 - 11 Mars, 2022

schedule 11:15 - 11 Mars, 2022

Tirana do të luajë ditën e shtunë klasiken e Shqipërisë me Vllazninë në “Loro Boriçi”, ora 16:45, takim i vlefshëm për javën e 25-të të Abissnet Superiore.

Një takim shumë i rëndësishëm ky për të dyja skuadrat ku bardheblutë e Orges Shehit kërkojnë pikët për titullin kampion, ndërsa kuqeblutë e Thomas Brdaric tentojnë pikët e europës.

Për këtë përballje në konferencën për shtyp ka dalë edhe tekniku i kryeqytetasve, i cili foli për takimin me Tiranën, ndërsa preku edhe disa çështje të tjera sa i përket skuadrës.

“Pas derbit të qytetit kemi derbin e Shqipërisë. Janë dy skuadra me traditë dhe cilësi, do të jetë një ndeshje kualitative. Situata është e mirë, nesër kemi edhe mungesa të ditura për shkak kartonash. Po e trajtojmë si një ndeshje që do vlerësim maksimal dhe mendje të ftohtë. Kur ke mendje të ftohtë, edhe vendimet merren të duhurat, sepse futbolli për mendimin tim është vendimmarrje.

Shpresoj të mos ndikojnë mungesat, por skuadra e ka shprehur se nuk është e varur nga individët. Janë mungesa me peshë, janë lojtarë të formacionit bazë dhe të rëndësishëm, por duhet që skuadra të mos varet nga individët, të varet nga grupi.

Vllaznia? Ka qenë ndeshja e parë e këtij fillim viti, por kanë kaluar shumë ndeshje, skuadra ka marrë formën më të mirë. E përsëris: skuadra do të jetë ashtu siç ka qenë në 90% të periudhës që kemi luajtur, nesër do të jetë ndeshje krejtësisht tjetër.

Ne vijmë pas një periudhe të mirë, e kemi treguar me lojë dhe me pikë. Tani vjen faza e fundit e kampionatit dhe përqendrimi duhet të jetë maksimal. Tani merren frytet e sezonit, është faza më delikate, sepse je pranë objektivave. Ndeshjet marrin një këndvështrim tjetër, pasi të gjithë skuadrat luftojnë për objektiva.

Na del puna të kemi vazhdimësi dhe të kemi përqendrim maksimal. Është periudha më efikase dhe më e vështirë e kampionatit, të vazhdojmë përpara me përqendrim dhe vlerësim.

Në futboll ka shumë rëndësi psikologjia e lojtarëve, ka rëndësi besimi që kanë te vetja dhe shokët. Probleme fizike nuk kemi, çdo gjë do të jetë e fokusuar tek ana psikologjike, pasi objektivat janë afër.

Trajneri më jetëgjatë te Tirana nga viti 2014? Të jesh në një periudhë kaq të gjatë te Tirana është privilegj. Unë vij në punë me mendimin se do të jem gjithmonë trajneri i Tiranës dhe dal nga porta sikur ishte dita e fundit. Të gjithë ne duhet ta përjetojmë me seriozitet dhe dëshirë, sepse është kënaqësi të jesh pjesë e këtij klubi.

E ardhmja? Njeriu jeton nga ana psikologjike në depresion nga e kaluara dhe nga ankthi për të ardhmen. Ne fokusohemi tek e tashmja, jemi në një moment të mirë dhe e tashmja është dita e nesërme”, deklaroi trajneri i Tiranës. /f.a/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!